Dhjetë fatkeqësitë klimatike më të shtrenjta gjatë vitit 2022.     Foto: AA

Shoqata “Christian Aid” ka veçuar 10 fatkeqësitë më të mëdha që lidhen me klimën gjatë këtij viti, ndërsa bota po përjeton stuhi gjithnjë e më të dhunshme, shira të rrëmbyeshëm dhe thatësira të shkaktuara nga rritja e temperaturave globale si rezultat i aktivitetit njerëzor.

Këto përfshijnë stuhitë dhe thatësirën në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë, së bashku me ngjarje të mëdha në të gjitha kontinentet e banuara.

Uragani Ian pati pasojat më të mëdha financiare, prej 100 miliardë dollarësh, kur goditi ShBA-në dhe Kubën në shtator. Uragani mbyti 130 njerëz dhe zhvendosi më shumë se 40.000, sipas një raporti të agjencisë humanitare.

Më së shumti viktima nga vërshimet në Pakistan

Pasojat më të rënda në aspektin e humbjeve njerëzore kishin vërshimet në Pakistan nga qershori deri në shtator, të cilat shkencëtarët ua atribuojnë ndryshimeve klimatike, duke shkaktuar 1.739 vdekje dhe duke zhvendosur shtatë milionë njerëz.

Përmbytjet kushtuan 5.6 miliardë dollarë, megjithëse këto janë vetëm humbje të siguruara, ndërsa vlera reale llogaritet më shumë se 30 miliardë dollarë, thekson Christian Aid.

“Dhjetë katastrofat klimatike gjatë vitit, secila prej të cilave ka shkaktuar dëme mbi 3 miliardë dollarë, tregon çmimin financiar të mosveprimit në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Por, pas numrave në dollarë fshihen miliona histori të humbjeve njerëzore dhe vuajtjeve”, tha Patrick Watt, drejtori ekzekutiv i shoqatës.

Fatkeqësitë klimatike më të shtrenjta të vitit

Sipas raportit, këto janë dhjetë fatkeqësitë klimatike më të shtrenjta në vitin 2022 për sa u përket dëmeve të siguruara:

Shkurt: Stuhia Eunice në Belgjikë, Gjermani, Irlandë, Holandë, Poloni dhe Mbretërinë e Bashkuar, 4.3 miliardë dollarë

Shkurt - mars: Përmbytjet në Australinë lindore, 7.5 miliardë dollarë

Prill: Përmbytjet në KwaZulu Natal dhe Kepin Lindor, Afrika e Jugut, 3 miliardë dollarë

Nga qershori në shtator: Përmbytjet në Pakistan, 5.6 miliardë dollarë

Nga qershori në shtator: Përmbytjet në Kinë, 12.3 miliardë dollarë

Qershor-shtator: Thatësira evropiane, 20 miliardë dollarë

Shtator: Uragani Fiona, Karaibe dhe Kanada, 3 miliardë dollarë

Shtator - tetor: Uragani Ian, Kubë dhe ShBA, 100 miliardë dollarë

Gjatë gjithë vitit: Thatësira braziliane, 4 miliardë dollarë

Gjatë gjithë vitit: Thatësira në Kinë, 8.4 miliardë dollarë

TRT Balkan / agjencitë