Rritet numri i viktimave në Sudan, përleshjet vazhdojnë / Foto: AA

Disa shtete kanë nisur evakuimin e qytetarëve të tyre nga Sudani, pasi luftimet në kryeqytet midis ushtrisë dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) kanë hyrë në javën e dytë.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se BE-ja ka evakuuar me sukses personelin e saj dhe mbi 1.000 shtetas të BE-së nga Sudani.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Egjiptit tha se procedurat e evakuimit të qytetarëve egjiptianë nga Sudani filluan në koordinim me autoritetet sudaneze.

Përpos kësaj, bëhet e ditur se janë duke u zhvilluar procedurat për evakuimin e shtetasve të Libanit dhe Jemenit.

Italia

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni njoftoi se u evakuuan bashkatdhetarët e saj që kërkuan të largohen nga Sudani.

Kryeministrja Meloni, në një deklaratë me shkrim gjatë natës, njoftoi për evakuimin e shtetasve italianë nga Sudani.

"Pas një pritjeje njëditore me ankth, u evakuuan të gjithë qytetarët tanë që donin të largoheshin nga Sudani. Mes tyre ka të huaj. Italia nuk lë askënd pas", tha kryeministrja e Italisë.

Në lajmet në shtypin italian thuhet se gjithsej 150 persona, 107 prej të cilëve italianë, janë evakuuar nga kryeqyteti i Sudanit në Xhibuti dhe do të sillen në Itali me avionë të Forcave Ajrore Italiane.

Konflikti mes ushtrisë dhe RSF-së në Sudan

Përleshjet e armatosura filluan mes ushtrisë dhe RSF-së paraushtarake mëngjesin e 15 prillit në kryeqytetin e Sudanit Khartum dhe qytete të tjera.

Mosmarrëveshja në muajt e fundit mes ushtrisë dhe RSF-së për reformën e sigurisë ushtarake, e cila parasheh “pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri”, ishte kthyer në një konflikt të nxehtë.

Ministria e Punëve të Jashtme sudaneze njoftoi se Kryetari i Këshillit të Sovranitetit dhe Komandanti i Ushtrisë Gjeneral Abdulfettah al-Burhan kishte vendosur të shpërndante RSF-në, e cila u përplas me ushtrinë, dhe ta shpallte atë forcë rebele kundër shtetit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga konfliktet kanë humbur jetën 413 persona dhe janë plagosur 3.551 persona.

RSF-ja njoftoi se do të zbatojë një armëpushim “humanitar” 72-orësh duke filluar nga dita e parë e Bajramit, ndërsa ushtria njoftoi se do të respektojë thirrjen për armëpushim të qarqeve ndërkombëtare në mbrëmje.

AA