Islamofobia një problem urgjent në Gjermani. / Foto: AA

Mathias Rohe, i cili ishte bashkautor i një prej raporteve më gjithëpërfshirëse mbi islamofobinë në Gjermani, foli për Anadolu rreth rritjes së ndjenjës antimyslimane në vend.

"Studimi ynë ka zbuluar se myslimanët në Gjermani hasin diskriminim islamofobik në jetën e tyre të përditshme, për shembull në arsim, në tregun e punës, ndërsa kërkojnë strehim, në media dhe shumë më tepër," tha Rohe.

Sipas tij ky është një problem urgjent për shoqërinë në tërësi.

“Ne nuk duhet t'i lëmë myslimanët vetëm me këtë”, shtoi Rohe.

Ndërsa sipas studimit të ekspertëve të pavarur, i cili u publikua në qershor, ndjenjat antimyslimane nuk janë një fenomen margjinal, por një shqetësim i përhapur në një pjesë të madhe të popullsisë gjermane. Rreth çdo i dyti person në Gjermani pajtohet me deklaratat antimyslimane.

Profesor Rohe nga Universiteti i Erlangen-Nurembergut tregoi se ndërsa miliona myslimanë kanë jetuar në Gjermani për shumë vite dhe janë bërë pjesë integrale e shoqërisë, por stereotipet negative dhe keqkuptimet për myslimanët janë ende të përhapura.

Ai tha se shumë gjermanë ende besojnë në stereotipet si myslimanët nuk mund të sjellin ndonjë ndryshim pozitiv ose vlerat e tyre janë krejtësisht të ndryshme.

“Përkundrazi, ne kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe çdo person në këtë vend ka të drejtë të jetojë i lirë në fenë e tij dhe të ndjekë vlerat e veta për aq kohë sa ajo përshtatet brenda kornizës së sistemit tonë ligjor. Dhe shumica dërrmuese e myslimanëve e mbështesin këtë dhe ata nuk meritojnë qëndrime të tilla diskriminuese, " u shpreh Rohe.

Sipas raportit, çdo i treti person nga një vend mysliman përjeton diskriminim në Gjermani, madje disa herë në muaj. Gratë myslimane që mbajnë shami raportojnë shpesh trajtim të keq në jetën e përditshme.

Rohe tha se mënyra se si raporton media për konfliktet aktuale ndërkombëtare dhe portretizimi i tij negativ i Islamit dhe myslimanëve ka një ndikim të madh në perceptimet publike.

“Ne tashmë kemi një tendencë të fortë në mediat gjermane për të raportuar mbi popullsinë myslimane në një mënyrë të orientuar drejt problemeve, madje më shumë në televizion sesa në gazeta,” tha ai.

“Ka shumë pak raportime në media kur myslimanët bëhen viktima të sulmeve, kur objektet e tyre të adhurimit sulmohen. Në realitet, myslimanët janë më shpesh viktima të sulmeve, por media raporton më shpesh incidente ku individë myslimanë janë autorë”, shtoi ai.

Rohe gjithashtu vuri në dukje se që nga përshkallëzimi i konfliktit të Gazës muajin e kaluar, myslimanët në Gjermani përballen me armiqësi në rritje dhe dyshim të plotë se ata simpatizojnë Hamasin.

“Në shkolla për shembull ne tani dëgjojmë se nxënësve myslimanë u kërkohet të marrin një qëndrim për këto incidente të tmerrshme në Izrael dhe Palestinë,” tha ai, duke shtuar se ata që po e kërkojnë këtë presupozojnë se të gjithë myslimanët kanë marrë një qëndrim në mbështetje të Hamasit.

“Aktualisht jemi duke e përjetuar këtë në një larmi fushash. Valët janë gjithashtu të larta për momentin dhe ekziston një shqetësim se dyshimi i përgjithshëm ndaj myslimanëve në fakt po bëhet edhe më i fortë,” theksoi ai.

Sipas Rohe autoritetet gjermane me të drejtë janë bërë më të ndjeshme rreth antisemitizmit javët e fundit, por nënvizoi se ata nuk duhet të neglizhojnë problemin po aq të rëndësishëm të islamofobisë.

“Duhet të sigurohemi që çështja e islamofobisë të mbetet në agjendë. Po ne kemi edhe çështje të tjera të rëndësishme si antisemitizmi, e kemi akoma. Por, problemet shtohen dhe ato nuk anulojnë njëra-tjetrën,” tha ai për Anadolu.

Një vend me më shumë se 84 milionë banorë, Gjermania ka popullsinë e dytë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore pas Francës. Sipas shifrave zyrtare, ajo është shtëpia e më shumë se 5 milionë myslimanëve.

Nxitur nga propaganda e partive dhe lëvizjeve politike të ekstremit të djathtë, vitet e fundit ka pasur një rritje të racizmit dhe dhunës antimyslimane në vend.

Në gjysmën e parë të vitit 2023, policia regjistroi 258 krime islamofobike, duke përfshirë sulme në xhami, raste të lëndimeve fizike dhe letra kërcënuese.

Grupi i të drejtave CLAIM me qendër në Berlin paralajmëroi se ka pasur një rritje të krimeve islamofobike të urrejtjes që nga përshkallëzimi i konfliktit në Gaza.

Grupi dokumentoi 53 raste të kërcënimeve antimyslimane, dhunës dhe diskriminimit në javët e fundit, duke përfshirë 10 sulme në xhami.

TRT Balkan / agjencitë