Algjeriani Resid Ibersiyan gjatë punës në Evropë mësoi se si të bënte djathë tradicional alpin. Ai solli prodhimin tradicional të djathit zviceran dhe holandez në vendin e tij, më saktë, në malin Atlas.
Ai e filloi jetën e tij të punës si planifikues industrial i naftës në Algjeri. Mirëpo, në vitin 1990, në moshën 24-vjeçare, Ibersiyan vendosi të mos vazhdonte karrierën në këtë fushë dhe shkoi në Romë, kryeqytetin e Italisë, për të studiuar regjinë e filmit.
Pas dështimit në Romë, ai u transferua në Zvicër ku punoi për një kohë të gjatë në media. Historia e prodhimit të djathit Ibersiyan fillon në Zvicër, rrëzë Alpeve.
"Gjatë kohës që punoja në Zvicër, kisha shumë punë dhe vazhdimisht isha në kompjuter. Sa herë që kisha mundësi, dilja në natyrë dhe vizitoja objektet e prodhimit të djathit", tha Ibersiyan. Më pas mësoi në detaje teknikat tradicionale evropiane të prodhimit të djathit.
Algjeriani, i cili investoi shumë kohë të lirë për të mësuar sa më shumë për prodhimin e djathit, vendosi pas disa kohësh të kthehej në vendin e tij, këtë herë me një ëndërr ndryshe. Siç tha ai, qëllimi ishte "ringjallja e kulturës së djathit në Algjeri që u shkatërrua gjatë periudhës koloniale franceze".
"Ne e dinim vetëm djathin francez 'champignon brie'. Francezët shkatërruan kulturën e djathit në Algjeri gjatë periudhës së tyre koloniale 132-vjeçare. Kjo është arsyeja pse nisa një biznes të ri në tregun algjerian. Mendova të ofroj djathëra", tha Ibersiyan.
Ai u kthye në Algjeri në vitin 2006 dhe filloi prodhimin e djathit në Feriha në qytetin Tizi Vizu, rrëzë maleve të Atlasit. Ibersiyan tha se shumica dërrmuese e djathërave në Algjeri bëhen nga qumështi pluhur, megjithatë, ai tani prodhon djathë të shëndetshëm nga qumështi i lopës.
"Sigurisht, qumështi algjerian dhe zviceran nuk janë njësoj. Këtë e kam mësuar nga zviceranët. Ideja për të bërë djathë është zvicerane, por djathi është algjerian", tha Ibersiyan.
Në prodhimet e tyre nuk ka konservues, ëmbëlsues, aditivë ushqimorë ose përmirësues të shijes. Sipërmarrësi algjerian tha se nga 700 deri në 1.000 litra qumësht marrin 70-80 kilogramë djathë në ditë.
Ai theksoi se synimi është që së shpejti prodhimet e tyre të eksportohen në tregjet e huaja. Algjeriani Verda Hammadi, i cili erdhi për të blerë djathë me gruan dhe fëmijët e tij, tha se produktet e Ibersiyan janë shumë të shijshme.