Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu paralajmëroi të mërkurën homologun e tij francez Sebastian Lecornu që të mos dërgojë trupa në Ukrainë.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Shoigu i tha kolegut të tij francez në një bisedë telefonike se zbatimi i planeve të tilla “do të krijojë probleme për vetë Francën”.
Lecornu shprehu ngushëllimet e tij për sulmin terrorist në sallën e koncerteve Crocus City në rajonin e Moskës më 22 mars, tha ministria, duke vënë në dukje se ministri francez "me kokëfortësi u përpoq të largonte dyshimin për përfshirjen e Ukrainës dhe vendeve perëndimore në sulmin terrorist duke e zhvendosur përgjegjësinë te ISIS”.
Shojgu ka theksuar se hetimet janë duke vazhduar, të cilat do të zbulojnë personat e përfshirë në sulm.
"Të gjithë ata që janë përgjegjës do të ndëshkohen. Ka një gjurmë ukrainase në organizimin e sulmeve terroriste. Regjimi i Kievit nuk bën asgjë pa miratimin e kuratorëve perëndimorë. Shpresojmë që në këtë rast shërbimet speciale franceze të mos qëndrojnë pas kësaj”, theksoi ai.
Shoigu përsëriti gatishmërinë e Rusisë për dialog mbi Ukrainën, duke vënë në dukje se faza fillestare mund të bazohet në Iniciativën e Paqes në Istanbul, një seri bisedimesh të mbajtura në kryeqytetin turk në mars 2022.
Presidenti francez Emmanuel Macron kohët e fundit mbajti një qëndrim më të ashpër ndaj "operacionit special ushtarak" të Rusisë të nisur më shumë se dy vjet më parë dhe nuk përjashtoi dërgimin e trupave evropiane në Ukrainë.