Marrëveshja për armëpushim midis Libanit dhe Izraelit hyri në fuqi herët në mëngjesin e së mërkurës për t'i përfunduar luftimet midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut që zgjatën më shumë se 14 muaj.
Në dokumentin me 13 pika, kabineti libanez konfirmoi përkushtimin për zbatimin e plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).
Rezoluta 1701, miratuar më 11 gusht 2006, bën thirrje për një ndërprerje të plotë të armiqësive midis Hezbollahut dhe Izraelit dhe krijimin e një zone të çmilitarizuar midis Vijës Blu dhe lumit Litani në Libanin e Jugut, me përjashtime për ushtrinë libaneze dhe misionin paqeruajtës të OKB-së (UNIFIL).
Marrëveshja për armëpushim hyri në fuqi disa orë pasi presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se ishte arritur një propozim për t’i dhënë fund konfliktit.
Mbi 3.800 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Liban dhe mbi një milion janë zhvendosur që nga tetori i kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.
Teksti i dokumentit
Teksti i dokumentit që agjencia Anadolu ka pasur në dispozicion përfshin 13 pika:
1. Izraeli dhe Libani do të ndalojnë armiqësitë duke filluar nga ora 04:00 e datës 27 nëntor 2024, sipas detyrimeve të përcaktuara më poshtë.
2. Duke filluar nga ora 04:00 e datës 27 nëntor 2024, qeveria libaneze do ta parandalojë Hezbollahun dhe të gjitha grupet e tjera të armatosura në territorin e saj që të kryejnë ndonjë operacion kundër Izraelit. Në këmbim, Izraeli nuk do të ndërmarrë operacione ushtarake ofensive kundër objektivave libanezë, përfshirë ato civile, ushtarake apo shtetërore, nga toka, ajri ose deti.
3. Izraeli dhe Libani pranojnë rëndësinë e Rezolutës 1701 të KS-OKB-së për arritjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme dhe angazhohen të marrin hapa për zbatimin e saj të plotë pa shkelje.
4. Këto detyrime nuk pengojnë as Izraelin dhe as Libanin që të ushtrojnë të drejtën e tyre të pacenueshme për vetëmbrojtje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
5. Forcat ushtarake dhe të sigurisë zyrtare libaneze do të jenë grupet e vetme të armatosura dhe infrastruktura ushtarake e vetme në zonën e jugut të Litanit, siç përcaktohet në Planin e Shpërndarjes së Forcave të Armatosura Libaneze (LAF) të bashkëngjitur.
6. Në përputhje me Rezolutën 1701 të KS-OKB-së, qeveria libaneze do të rregullojë dhe do të kontrollojë çdo shitje, furnizim ose prodhim të armëve dhe materialeve shoqëruese brenda Libanit.
7. Pas fillimit të armëpushimit, forcat zyrtare libaneze do të kenë autoritet të plotë për të: a. Monitoruar dhe parandaluar hyrjen e paautorizuar të armëve në Liban. b. Shkatërruar objektet e paautorizuara të prodhimit të armëve në zonën e Litanit. c. Sekuestruar armët dhe të çmontojnë infrastrukturën e paautorizuar.
8. Shtetet e Bashkuara dhe Franca do të mbështesin vendosjen e 10.000 ushtarëve libanezë në jug të Libanit sa më shpejt të jetë e mundur.
9. Izraeli dhe Libani do të punojnë për ta përmirësuar mekanizmin trepalësh, të drejtuar nga OKB-ja dhe ShBA-ja, për të ndjekur dhe verifikuar zbatimin e detyrimeve.
10. Çdo shkelje do të raportohet te mekanizmi dhe UNIFIL-i.
11. Libani do të vendosë forcat e tij zyrtare në të gjitha kufijtë e tij pas ndërprerjes së armiqësive.
12. Izraeli do të tërheqë forcat e tij në faza ndërsa Libani vendos forcat e veta në zonën e Litanit, sipas planit të bashkangjitur.
13. Izraeli dhe Libani kërkojnë nga SHBA dhe OKB të lehtësojnë negociatat për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme përgjatë Vijës Blu.
Këto masa synojnë të lehtësojnë kthimin e sigurt të civilëve në shtëpitë dhe tokat e tyre dhe të promovojnë stabilitetin dhe prosperitetin në rajon.