Dy vëllezër palestinezë që jetojnë në qytetin Malmö të Suedisë filluan të prodhojnë pije të quajtur "Palestine Cola", me synimin që të ardhurat t'ua dhurojnë palestinezëve.
Përderisa protestat masive po mbahen në mbarë botën për shkak të sulmeve të Izraelit në Gaza, shumë marka ndërkombëtare, përfshirë kompanitë e mëdha të pijeve si dhe kafeve dhe restoranteve po bojkotohen.
Vëllezërit palestinezë Mohamed Hassoun dhe Ahmad Hassoun që jetojnë në Malmö të Suedisë, duke kuptuar zbrazëtinë në treg gjatë kësaj periudhe kur vazhdojnë bojkotet kundër prodhuesve dhe kompanive që mbështesin Izraelin, filluan të punojnë mbi një projekt me të cilin synojnë t'i dërgojnë të ardhurat nga shitjet e produktit deri te populli palestinez.
"Palestine Cola, simboli i unitetit dhe synimit"
Familja Hassoun, e cila zotëron një kompani automjetesh dhe pasurish të paluajtshme në Suedi, duke qenë se nuk kishin përvojë në industrinë e ushqimit dhe pijeve, ata punuan me ekspertë dhe këshilltarë derisa zhvilluan kompaninë e quajtur "Palestine Drinks".
Mohamed Kiswani, zyrtar për media i Safad Food AB, kompania suedeze që qëndron pas kompanisë së pijeve, në një deklaratë për Anadolu tha se "Palestine Drinks" është themeluar në muajin shkurt.
Sipas tij, Palestine Cola është "simboli i unitetit dhe i synimit".
"Tregu, restorantet, dyqanet dhe njerëzit kërkonin alternativa për markat e mëdha. Kështu që ne menduam ta kthejmë këtë në një punë bamirësie dhe ta quajmë 'Palestine Drinks' në mënyrë që njerëzit të kujtojnë emrin dhe të jenë krenarë për markën. Arsyeja kryesore e idesë ishte krijimi i një kompanie alternative për këdo që dëshiron një markë që mbështet palestinezët", u shpreh Kiswani.
"Marka jonë e tregton veten"
Krenarë për projektin që filluan për të ndihmuar palestinezët, vëllezërit vunë në dukje se ata fillimisht synojnë vetëm tregun suedez, por u përballën me mbështetje të papritur kur produkti doli në rafte.
"1 milion kanaçet që lëshuam u shitën menjëherë. Marka jonë e tregton veten", tha Kiswani duke shtuar se një produkt që i shërben një qëllimi të mirë tërheq vëmendjen e blerësve.
Pijet e shitura në Suedi, Danimarkë dhe Norvegji porositen nga Evropa, ShBA-ja, Australia, Japonia, vendet arabe, Azia dhe Amerika Latine.
Kiswani tha se në 2-3 muajt e ardhshëm synojnë që produktin ta shesin edhe jashtë vendeve skandinave. "Ne morëm porosi nga rreth 900 kompani nga e gjithë bota që dëshironin të ishin shpërndarës tanë, por nuk patëm kohë t'u përgjigjeshim të gjitha emaileve", tha ai.
Ai thotë se edhe pse kanë zgjedhur shijen e kolas për pijen si shije origjinale, ka edhe shije të ndryshme si pa sheqer, me shije portokalli dhe limonadë dhe pije energjike.
Duke thënë se kanë zgjedhur pemën e ullirit, simbolin e popullit palestinez, si logon e produktit, Kiswani tha: "Ideja jonë ishte të arrijmë në çdo cep të botës dhe t'u kujtojmë të gjithëve Palestinën që ekziston në kujtesën e kësaj familjeje dhe të gjitha familjeve palestineze".