EBA bën thirrje për armëpushim humanitar në Sudan gjatë muajit të Ramazanit            Foto: AA

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) propozuan të premten një armëpushim humanitar në Sudanin e shkatërruar nga lufta gjatë muajit të ardhshëm të shenjtë mysliman të Ramazanit, i cili fillon në fillim të marsit.

Sugjerimi erdhi gjatë një fjalimi të Ministrit të Shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Shakhboot bin Nahyan Al Nahyan në një konferencë të nivelit të lartë mbi Sudanin, të mbledhur në kryeqytetin etiopian të Addis Ababa.

Zyrtari i Emirateve tha se konferenca u mbajt në bashkëpunim me Etiopinë, Bashkimin Afrikan (AU) dhe Autoritetin Ndërqeveritar për Zhvillim (IGAD) për të adresuar situatën në Sudan përpara muajit të Ramazanit që po afrohet.

"Ne i nxisim palët ndërluftuese të nderojnë këtë periudhë të shenjtë duke zbatuar një armëpushim humanitar për të siguruar aksesin e sigurt, urgjent dhe të papenguar të ndihmës thelbësore humanitare për ata që kanë më shumë nevojë, veçanërisht fëmijët, të moshuarit dhe gratë”, tha ai.

Në konferencë, ai gjithashtu njoftoi ofrimin e "një ndihme humanitare shtesë prej 200 milionë dollarësh për Sudanin, duke e çuar kontributin total në 600.4 milionë dollarë që nga shpërthimi i konfliktit në prill 2023.

Asnjë nga palët ndërluftuese në Sudan nuk e ka komentuar deri më tani propozimin e Emirateve.

Ushtria sudaneze dhe grupi i saj rival paraushtarak Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) kanë luftuar që nga mesi i prillit 2023 që ka vrarë më shumë se 20.000 njerëz dhe ka zhvendosur 14 milionë, sipas OKB-së dhe autoriteteve lokale. Hulumtimet nga universitetet amerikane, megjithatë, vlerësojnë numrin e vdekjeve në rreth 130.000.

Thirrjet ndërkombëtare dhe të OKB-së për t'i dhënë fund luftës po shtohen, duke paralajmëruar për një katastrofë humanitare të afërt, pasi miliona njerëz përballen me urinë dhe vdekjen për shkak të mungesës së ushqimit. Konflikti është përhapur në 13 nga 18 shtetet e Sudanit.

TRT Balkan / agjencitë