Persona të armatosur janë futur në kanalin televiziv publik në Ekuador, teksa vazhdonte transmetimi i drejtpërdrejtë.
Pamjet e mediave sociale tregojnë persona të armatosur që kërcënojnë stafin brenda televizionit TC me qendër në Guayaquil.
Një video tjetër që qarkullon në X tregon gjithashtu kriminelët që hyjnë në universitetin e qytetit Guayaquil, ndërsa mediat lokale raportojnë se brenda kanë ndodhur rrëmbime.
Presidenti Daniel Noboa ka nxjerrë një dekret që njeh ekzistencën e një “konflikti të armatosur të brendshëm” në vend.
Ai urdhëroi gjithashtu Forcat e Armatosura të kryejnë operacione ushtarake për “neutralizimin” e grupeve të krimit të organizuar.
Gjatë të hënës, në Ekuador u shpall gjendje e jashtëzakonshme pasi kreu i një bande, ndër personat më të rrezikshëm në vend, u zhduk nga qelia e burgut, duke shkaktuar trazira në të paktën gjashtë objekte korrektuese në të gjithë vendin.
Gjendja e jashtëzakonshme i lejon ushtrisë të veprojë për të kontrolluar sigurinë e brendshme, veçanërisht në burgje.
Udhëheqësi i bandës së fuqishme Los Choneros, Jose Adolfo Macias, i njohur si "Fito", u raportua i zhdukur të dielën nga qelia e tij e sigurisë së lartë në një burg në qytetin e Guayaquil.
Macias u dënua në vitin 2011 me 34 vjet burg për krime të ndryshme, përfshirë vrasje dhe trafik droge.