Erdoğan telefonon Trumpin, flasin për atentatin ndaj tij         / Foto: AA

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kandidatin për president Donald Trump.

Në këtë bisedë telefonike u diskutua për atentatin ndaj Trump dhe çfarë ndodhi më pas.

Gjatë bisedës, Presidenti Erdoğan dënoi edhe një herë atentatin ndaj Donald Trump dhe shprehu dhimbjen për sulmin dhe urimet e tij për një shërim të shpejtë.

Presidenti Erdoğan e përshkroi atentatin si një sulm ndaj demokracisë. Ai deklaroi se qëndrimi i guximshëm i Trumpit pas sulmit të tmerrshëm ishte i admirueshëm, se vazhdimi i programeve të tij pa ndërprerje forcoi demokracinë dhe se kjo duhet parë si një tregues i besimit në largpamësinë e popullit amerikan.

Gjatë bisedës, Presidenti Erdoğan tha se Trump tregoi lidership të fortë me mesazhet e tij qetësuese të unitetit për të ulur polarizimin dhe tensionin pas atentatit dhe përgëzoi Donald Trump për nominimin zyrtar si kandidat presidencial i ShBA-së nga Partia Republikane.

Presidenti Erdoğan shprehu shpresën se zgjedhjet presidenciale në ShBA që do të mbahen në nëntor do të jenë të dobishme për popullin amerikan dhe për marrëdhëniet Türkiye-ShBA.

TRT Balkan / agjencitë