Evropianët me vështirësi për të përballuar pushimet / Foto: AA

Pushimi vjetor po bëhet gjithnjë e më luks për evropianët. Inflacioni i lartë dhe kriza ekonomike që ka kapluar Evropën në periudhën e fundit po përkthehet në rënien e fuqisë konsumatore të familjeve.

Shifrat e zyrës së statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat, tregojnë se një pjesë e madhe e evropianëve nuk mund të përballojnë koston financiare për një pushim 1-javor.

Mbi 20% e gjermanëve nuk mund të financojnë pushime

Shifrat e Eurostat-it treguan se 21,9% e gjermanëve nuk mund të përballonin një pushim njëjavor në 2022. Kjo normë ishte 19,9% në 2021 dhe tani po prek kryesisht prindërit e vetëm.

Të prekur janë edhe pensionistët dhe familjet me fëmijë, të cilët respektivisht 28,7% dhe 23,4% e tyre nuk kanë mundur të përballojnë një pushim njëjavor.

Shoqata Gjermane e Udhëtimit (DRV) ka vënë në dukje se gjermanët preferojnë Spanjën, Greqinë dhe Türkiyen për pushime.

Rreth 8 milionë italianë anuluan pushimet

Dhoma Italiane e Tregtisë në një studim në fillim të verës njoftoi se 28 milionë udhëtarë italianë bënë plane për vitin 2023, por vetëm 16,4 milionë prej tyre mund t'ia dilnin.

Presidenti i Federatës Italiane të Turizmit dhe Agjentëve të Udhëtimit, Giuseppe Cimminisi, tha për agjencinë Anadolu se udhëtarët italianë zgjedhin ishujt spanjollë, Shqipërinë ose Greqinë, ku biletat e avionit dhe shpenzimet e tjera kushtojnë më pak.

Gjysma e belgëve nuk shkuan në pushim

Ndërkohë, 52,7% e belgëve vendosën të mos shkojnë me pushime për shkak të buxhetit të ngjeshur, tregoi një sondazh i kryer në maj nga kompania e sigurimeve të udhëtimit Hellosafe.

Transmetuesi belg RTBF raportoi më 20 korrik se vetëm katër nga 10 belgë mund të përballonin pushimet.

TRT Balkan / agjencitë