Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, pas takimit të tij me homologun amerikan Antony Blinken, tha se kanë rënë dakord për arritjen sa më parë të një armëpushimi në Gaza.
Fidan dhe Blinken, pas takimit të tyre në Ankara, dhanë deklaratë për mediat.
Kryediplomati turk tha se kanë qenë në një bisedë intensive me Blinkenin që nga mëngjesi, duke bërë të ditur se në takim dy pikat urgjente të agjendës ishin Siria dhe Gaza.
Fidan theksoi se gjatë takimit të tyre kanë diskutuar se çfarë mund të bëjnë Türkiye, ShBA-ja dhe aktorët rajonalë për çështje të tilla si e mira e popullit sirian, uniteti, integriteti dhe sovraniteti i vendit në situatën e re në Siri.
Duke tërhequr vëmendjen në sigurimin e stabilitetit në Siri, Fidan tha: "Prioritetet tona janë sigurimi i stabilitetit në Siri sa më parë, parandalimi i terrorizmit dhe sigurimi që DEASh-i dhe PKK-ja të mos dominojnë atje. Çka mund të bëjmë rreth këtyre? Cilat janë shqetësimet e përbashkëta, cilat duhet të jenë zgjidhjet e përbashkëta për këto shqetësime të përbashkëta? Folëm në detaje rreth këtyre".
Duke theksuar se me homologun amerikan kanë trajtuar edhe çështjen e Gazës, Fidan tha: "Ramë dakord (me Blinkenin) për arritjen sa më parë të një armëpushimi lidhur me Gazën".
Më tej, Fidan rikujtoi përpjekjet e Türkiyes, ShBA-së dhe partnerëve të tjerë për armëpushim, duke theksuar se Izraeli vazhdon të vrasë civilët në Gaza dhe se spiralja e dhunës në rajon ende vazhdon.
Ai tha se kanë trajtuar edhe çështjet bilaterale me homologun e tij, përfshirë edhe industrinë e mbrojtjes. Duke thënë se Blinken ndoshta e bëri vizitën e tij të fundit në Ankara, Fidan falënderoi homologun e tij amerikan për ritmin intensiv dhe i uroi suksese në vazhdim.