Forcat izraelite vrasin 6 palestinezë në Bregun Perëndimor.     /Foto: AA

Ushtria izraelite vrau të paktën 6 palestinezë dhe plagosi 27 të tjerë në një sulm ajror në orët e hershme të së hënës në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se 5 palestinezë u vranë nga sulmet ajrore izraelite në Jenin dhe një palestinez tjetër në qytetin Al-Bira.

Në sulmet izraelite u plagosën 27 palestinezë të tjerë, shtatë prej tyre në gjendje të rëndë. Avionët luftarakë izraelitë shënjestruan ndërtesa banimi në Jenin me tri raketa.

Pas sulmit ajror, ushtria izraelite sulmoi qytetin me mjete të blinduara ushtarake dhe bllokoi kampin e refugjatëve. Forcat izraelite rrethuan një shtëpi që i përkiste familjes së Zakaria ez-Zebidi, komandantit të krahut të armatosur të lëvizjes Fatah, thanë dëshmitarët.

Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, një nga të vrarët që u identifikua ishte Samih Firas Abu Al-Wafa, 21 vjeç. Pasi që rrethuan kampin nga anë të ndryshme gjatë bastisjes, ushtarët izraelitë penguan ambulancat që përpiqeshin të evakuonin të plagosurit.

Sipas ushtrisë izraelite, sulmi ajror në Jenin kishte në shënjestër një "dhomë të përbashkët operacionesh" të rebelëve palestinezë, të quajtur "Brigada Jenin". Me sulmet izraelite në Bregun Perëndimor dhe sulmet ajrore në Rripin e rrethuar të Gazës, numri i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i vitit është rritur në 185.

TRT Balkan / agjencitë