Franca në vitin 2024 do të sigurojë të paktën 30 milionë euro për agjencinë e OKB-së për refugjatët në Palestinë, ose UNRWA, tha Ministria e Jashtme franceze.
Në fillim të këtij viti në janar, një grup vendesh, duke përfshirë ShBA-në dhe Britaninë, vendosën të ndalojnë fondet për agjencinë e OKB-së pas akuzave të Izraelit se disa nga anëtarët e saj ishin të përfshirë në sulmin e 7 tetorit.
Disa prej vendeve, si Australia, Kanadaja, Suedia dhe Islanda kanë rifilluar financimin.
"Në vitin 2024, Franca do të kontribuojë në aktivitetet e UNRWA-së me më shumë se 30 milionë euro", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme franceze Christophe Lemoine në një konferencë shtypi të enjten.
"Ne do të japim kontributin tonë duke siguruar që kushtet të përmbushen që UNRWA-ja të udhëheqë misionin e saj në një frymë pa nxitje urrejtjeje dhe dhune", shtoi ai.
Lemoine nuk specifikoi ndonjë afat kohor për pagesën.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Gaza që nga një inkursion ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor 2023, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë 1.200 njerëz.
Mbi 32.600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në enklavë nga sulmet izraelite dhe mbi 75.000 të tjerë janë plagosur, përveç shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.
Sipas OKB-së, lufta izraelite ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme, krahas një bllokade gjymtuese të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.