Franca shumë e shqetësuar rreth situatës në Veri të Kosovë.     Foto: French Ministry for Europe and Foreign Affairs

Franca është shumë e shqetësuar për situatën në Veri të Kosovës dhe dënon fuqishëm sulmin e papranueshëm ndaj misionit të EULEX-it në Kosovë dhe të gjitha aktet e dhunës në terren, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës.

“Franca mbështet plotësisht ndërmjetësimin evropian, i cili duhet të bëjë përparim në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe të bëjë përparim në perspektivat e të dy vendeve për një të ardhme në Evropë”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Franca u bëri thirrje gjithashtu të dyja palëve të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, duke shtuar ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna do të diskutojë këtë çështje me homologët e saj evropianë në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së.

Gjatë tensioneve të fundit në veri të Kosovës u regjistruan disa incidente, përfshirë sulmet drejt njësive të Policisë së Kosovës ku u lëndua edhe një pjesëtar i saj, ndërsa u sulmua edhe një patrullë e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).




TRT Balkan / agjencitë