Është "shumë herët" të diskutohet për dërgimin e trupave në Ukrainë, deklaroi të martën ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, gjatë një interviste për Franceinfo.
“Kjo çështje do të shtrohet kur të vijë koha, pasi të jetë gjetur paqja, për ta siguruar atë,” tha ai.
Duke theksuar se Evropa dëshiron një "paqë të qëndrueshme", ministri i Jashtëm përsëriti nevojën për të ofruar garanci që sigurojnë se “agresioni” nuk do të përsëritet.
Ai shtoi se është ende herët për të përcaktuar se cilat do të jenë këto garanci.
Barrot njoftoi se Evropa do të vendosë një grup të ri sanksionesh të hënën e ardhshme.
“Paqen mund ta arrijmë vetëm përmes presionit, prandaj do të vazhdojmë të rrisim koston e luftës për Vlladimir Putinin,” tha ai, duke theksuar se Evropa ka detyruar presidentin rus të ulet në tryezën e negociatave që nga fillimi i luftës.
Intervista u zhvillua pas një samiti urgjent të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron në Paris.
Samiti u mbajt mes shqetësimeve në rritje për angazhimin e drejtpërdrejtë të presidentit amerikan Donald Trump me Rusinë dhe synimin e administratës së tij për të përjashtuar BE-në nga bisedimet e paqes për Ukrainën.
Takimi mblodhi së bashku liderët e Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Polonisë, Italisë dhe Danimarkës, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Pas samitit, liderët evropianë riafirmuan angazhimin e tyre për të garantuar një paqe të qëndrueshme në Ukrainë dhe për të përmirësuar kapacitetet mbrojtëse të kontinentit.
Pas mbledhjes, kryeministri francez François Bayrou deklaroi se diskutimi mbi Ukrainën dhe sigurinë në kontinent nuk i largoi frikërat ekzistuese.
“Po jetojmë në një kontekst të viteve 1930 me ajsbergë që po vijnë drejt nesh, dhe takimi në Paris në Pallatin Élysée nuk arriti t’i shmangë ata,” tha ai për BFMTV.
Kryeministri paralajmëroi për një luftë të mundshme që mund të ndodhë në Evropë për herë të parë që nga viti 1945.
“Po shohim një aleancë të paimagjinueshme midis Putinit dhe Trumpit, e cila po e margjinalizon Evropën në tokën e saj,” shtoi ai.