Francë, bllokohet porti Bordeaux, protestë kundër marrëveshjes BE-Mercosur.       Foto: Reuters

Fermerët në Francë me bllokimin e hyrjes së portit Bordeaux me traktorë që mbrëmë kanë përshkallëzuar protestat e tyre kundër marrëveshjes së propozuar të tregtisë së lirë midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Tregut të Përbashkët Jugor, të njohur si Mercosur.

Koordinimi Rural (CR), një nga sindikatat kryesore të fermerëve në Francë, po udhëheq protestat të cilat janë të përqendruara në jugperëndim të vendit.

Protestuesit vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët drejt portit me traktorë, goma dhe mbeturina.

Përfaqësuesja e CR-së, Karine Duc, kritikoi rolin e autoriteteve të portit në importimin e drithërave që nuk plotësojnë standardet evropiane, duke theksuar shqetësimet e fermerëve francezë.

Sindikata franceze tha se veprime të ngjashme do të zhvillohen në lokacione të ndryshme në mbarë vendin dhe paralajmëroi për protesta të mëtejshme nga 25 nëntori rreth institucioneve shtetërore dhe ndërtesave qeveritare.

Më herët, kryeministri francez, Michel Barnier, bëri thirrje për një debat në Asamblenë Kombëtare Franceze mbi marrëveshjen e kontestuar tregtare.

Marrëveshja, e cila ka qenë në negociata që nga viti 2000, mori vëmendje të përtërirë pasi diskutimet në samitin e G20-s në Brazil më 18-19 nëntor treguan se ajo mund të finalizohet së shpejti.

Fermerët francezë e kundërshtojnë marrëveshjen, duke përmendur shqetësimet për konkurrencën e pandershme.

Marrëveshja tregtare BE-Mercosur

Negociatat BE-Mercosur për një marrëveshje të tregtisë së lirë filluan në vitin 2000 dhe kaluan në disa faza të reja dhe të pafundme.

Palët ranë dakord për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që mbulon çështje të tilla, ndër të tjera, si tarifat, rregullat e origjinës, barrierat teknike për tregtinë dhe pronësinë intelektuale.

BE-ja dhe Tregu i Përbashkët Jugor planifikojnë të ulin tarifat e larta për produktet bujqësore që vendet e Mercosur-it të shesin lehtë produkte të tilla si mishi, pula dhe sheqeri në bllokun evropian.

Megjithatë, marrëveshja nuk u nënshkrua, as u ratifikua dhe nuk hyri kurrë në fuqi.

Fermerët francezë argumentojnë se marrëveshja BE-Mercosur është pjesë e një tendence më të gjerë që kërcënon jetesën rurale në Francë.

TRT Balkan / agjencitë