Francë, niveli i sigurisë në shkallën më të lartë pas sulmit në Moskë.     /Foto: Reuters

Qeveria franceze paralajmëroi për terrorizëm të mundshëm dhe ngriti nivelin e sigurisë në shkallën më të lartë pas sulmit terrorist në Moskë ku u vranë 137 persona, njoftoi kryeministri francez Gabriel Attal.

Këtë e deklaroi Attal në rrjetin social X pas një takimi me zyrtarë të lartë të sigurisë dhe presidentin e vendit, Emmanuel Macron.

Ai tha se vendimi është marrë "në dritën e pretendimit të përgjegjësisë nga ISIS dhe kërcënimeve që rëndojnë mbi vendin tonë".

Numri i të vdekurve nga të shtënat e së premtes në një sallë koncertesh në një periferi të Moskës është rritur në 137, tha organi hetimor federal i vendit.

Në njoftimin e Komitetit Hetues të Rusisë thuhet se në vendngjarje janë gjetur trupat e 137 personave, mes të cilëve tre fëmijë.

“Hetimet në vendin e krimit vazhdojnë. Deri më tani janë identifikuar 62 trupa. Për viktimat e mbetura po kryhen analiza gjenetike për të përcaktuar identitetin e tyre”, thuhet në deklaratë.

Mësohet se në vendngjarje janë gjetur mbi 500 copë municione dhe 28 karikatorë, si dhe dy automatikë kallashnikov.

Ministria e Shëndetësisë e Rusisë njoftoi se 180 persona janë shtruar në spital.

Persona të armatosur hapën zjarr ndaj pjesëmarrësve të koncertit në Sallën e qytetit Crocus në Krasnogorsk të premten vonë, ndërsa grupi rock Picnic ishte planifikuar të performonte dhe një zjarr shpërtheu më vonë në ndërtesë.

Presidenti Vlladimir Putin shpalli 24 marsin ditë zie për të vrarët në sulm.

Autoritetet ruse kanë arrestuar 11 persona në lidhje me sulmin, duke përfshirë katër të përfshirë drejtpërdrejt, sipas Shërbimit Federal të Sigurisë.

TRT Balkan / agjencitë