Evropianët po jetojnë në ankth dhe në të ashtuquajturën gjendje “polikrizash”, tregon Eurobarometri i fundit i publikuar nga Parlamenti Evropian. Në anketën e realizuar nga Parlamenti Evropian në vjeshtën e vitit 2022, shumica e qytetarëve të BE-së kanë raportuar më shumë shqetësime që lidhen me zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike.
93% e qytetarëve të vendeve të BE-së thonë se kanë frikë nga rritja e mëtejshme e kostos së jetës, ndërsa 82% druajnë varfërinë. Në këtë drejtim, 46% e evropianëve thonë se standardi i tyre i jetesës tashmë është ulur dhe presin që të ulet edhe më tej gjatë këtij viti. 39% të tjerë thonë se standardi i tyre nuk ka rënë akoma, por presin të bjerë gjatë këtij viti, ndërsa vetëm 14% nuk presin ndonjë ndikim negativ mbi standardin jetësor nga krizat ekonomike, energjetike dhe inflacioni.
Ndër frikat e tjera të evropianëve janë edhe ndryshimet klimatike dhe pasojat e saj (81%), si dhe përhapja dhe eskalimi i mëtejshim i luftës në Ukrainë (81%). Ndërsa rreth 3/4 e evropianëve druajnë nga incidente bërthamore me pasoja shkatërruese.
Evropianët kërkojnë mbrojtje nga varfëria dhe shëndetësi cilësore
Krizat ekonomike reflektojnë edhe në kërkesat e banorëve të BE-së ndaj Parlamentit Evropian. 37% e evropianëve thonë se ndër prioritetet e Parlamentit Evropian duhet të jetë lufta kundër varfërisë.
Prioritet i dytë më i rëndësishëm është shëndetësia publike, me 34% të evropianëve që kërkojnë nga Parlamenti Evropian të angazhohet për shëndetësi më cilësore, ndërsa 31% kërkojnë angazhim për të luftuar ndryshimet klimatike.
Demokracia – vlerë themelore e evropianëve
Eurobarometri ka pyetur qytetarët e BE-së se cilat vlera duhet t’i mbrojë me prioritet Parlamenti Evropian. Më shumë se 1/3 e qytetarëve besojnë se demokracia duhet mbrojtur me prioritet.
Ndër 3 vlerat kryesore që shihen si prioritet janë edhe mbrojtja e të drejtave të njeriut (29%) dhe liria e shprehjes (28%).
Shumica e evropianëve (73%) besojnë se duhet të vazhdojë mbështetja e fuqishme e BE-së për Ukrainën, në formën e sanksioneve ndaj Rusisë ose ndihmës financiare, ushtarake e humanitare për Ukrainën. Nga ana tjetër, rreth 24% e shtetasve të BE-së nuk e aprovojnë këtë mbështetje.