Misioni ushtarak në Ukrainë do të jetë misioni i tetë ushtarak i BE-së i vendosur aktualisht në disa pjesë të botës. Shtatë misione të tjera ushtarake të BE-së janë duke u zhvilluar në Evropë, Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Kjo metodë operimi është aplikuar që nga viti 2003. Një ose më shumë luftëra po zhvillohen aktualisht në Bosnjë e Hercegovinë, Mali, Libi, Republikën e Afrikës Qendrore, Mozambik dhe Somali.
Përveç misioneve ushtarake, BE-ja ka edhe 18 misione civile në mbarë botën. Së bashku me misionet ushtarake, ato janë pjesë e politikës së përbashkët të mbrojtjes dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian. Në vazhdim, TRT Balkan ju paraqet gjashtë fakte për misionin ushtarak evropian në Ukrainë.
Pse po kryhet misioni?
Vendimi për misionin u mor nga Këshilli Evropian i Punëve të Jashtme pasi Ukraina kërkoi ndihmë ushtarake. Përballë situatës në terren, sipas raporteve zyrtare nga Brukseli, Ukraina kishte nevojë për mbështetje urgjente, veçanërisht në trajnimin e forcave të armatosura. Misioni quhet EUMAM.
Sa ushtarë do të trajnohen?
Është planifikuar të zhvillohen trajnime në një shkallë më të madhe. Plani është që me pjesën e parë të stërvitjes të mbulohen rreth 15.000 ushtarë. BE-ja njoftoi në faqen e saj se do të ketë trajnime individuale, kolektive dhe të specializuara. Ai do t’u referohet kryesisht armëve të furnizuara nga BE-ja.
Mandati fillestar i misionit do të jetë dy vjet. Për momentin nuk dihet se ku do të zhvillohet trajnimi. Është përmendur Kroacia, megjithëse presidenti kroat Zoran Millanoviq e kundërshtoi një ide të tillë.
Qëllimi dhe mjetet
Fondet për zbatimin e misionit sigurohen nga Fondi Evropian i Paqes. Për t’u ndihmuar forcave të sigurisë ukrainase në mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Për periudhën fillestare dhe mandatin dyvjeçar, për misionin në fjalë janë parashikuar 106.7 milionë euro. Pajisjet që do të dorëzohen në kuadër të misionit janë në përputhje me kërkesat e Ukrainës. Për blerjen e armëve janë planifikuar 500 milionë euro fonde shtesë. Shuma totale për ndihmën ushtarake deri më tani arrin në 3.1 miliardë euro.
Ku do të jetë komanda?
Misioni EUMAM do të operojë në territorin e shteteve anëtare të Unionit. Selia operative do të jetë në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm në Bruksel për të siguruar koordinimin strategjik. Dy selitë kryesore do të vendosen në Gjermani dhe Poloni. Misioni do të komandohet nga Zëvendësadmirali Hervé Bléjean.
Hapja ndaj mbështetjes nga vendet e treta
Sipas BE-së, EUMAM Ukraine do të përmirësojë koordinimin midis vendeve që tashmë i ofrojnë Ukrainës mbështetje dypalëshe të sigurisë. Misioni gjithashtu u mundëson bashkim vendeve që nuk janë ende pjesë e ndihmës së BE-së.
Si funksionon politika e sigurisë dhe e mbrojtjes?
Sistemi i politikës së përbashkët të sigurisë dhe të mbrojtjes synon menaxhimin e përbashkët të krizave nga shtetet anëtare. Traktati i Lisbonës parashikon zbatimin e misioneve civile dhe ushtarake.
Politika e sigurisë dhe e mbrojtjes e BE-së është pjesë e strategjisë që parashikon reagimin në rast të konflikteve dhe krizave të jashtme dhe mbrojtjen e qytetarëve të BE-së dhe partnerëve të saj. Instrumenti Evropian për Asistencën Paqeruajtëse financohet nga fondet jashtë Buxhetit të Bashkimit Evropian.
Filloi të zbatohej në vitin 2021. Deri në vitin 2027 pritet të ketë 5.6 miliardë euro. Ai duhet të rritet çdo vit nga 420 milionë euro në 2021 në 1.1 miliardë euro në 2027.