Gjermania akuzon Rusinë për sulm kibernetik /      Foto: AA

Gjermania akuzoi sot Rusinë për një sulm kibernetik që në shënjestër ka pasur ligjvënësit gjermanë dhe paralajmëroi se sulmet e tilla hibride do të kenë pasoja për Moskën.

"Hakerët rusë të shtetit kanë sulmuar Gjermaninë në hapësirën kibernetike. Kjo është krejtësisht e papranueshme dhe nuk do të mbetet pa pasoja", u tha ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, gazetarëve gjatë vizitës së saj në Australi.

Ajo tha se tashmë ka përfunduar një hetim i qeverisë për sulmin kibernetik të vitit të kaluar që kishte në shënjestër socialdemokratët në pushtet.

"Qeveria federale, nën udhëheqjen e Ministrisë së Jashtme, ka përfunduar tashmë procesin e hetimit për këtë incident. Tani mund t'ia atribuojmë qartë këtë sulm grupit APT28, i cili kontrollohet nga shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse GRU", tha Baerbock.

Shefja e diplomacisë gjermane paralajmëroi se Rusia do të përballet me pasoja për sulme të tilla kibernetike, por nuk dha detaje rreth masave ose sanksioneve të mundshme diplomatike.

AA