Gjermania premtoi mbështetje të vazhdueshme për Izraelin, pavarësisht se Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarrest për kryeministrin izraelit Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për veprimet e tyre në luftën e Gazës.
I pyetur në një konferencë shtypi në Berlin nëse Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Izraelin, zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit tha se qëndrimi i Gjermanisë mbetet i pandryshuar.
Qeveria gjermane ka qenë një mbështetëse e vendosur e Izraelit me kancelarin Olaf Scholz duke theksuar vazhdimisht përgjegjësinë e veçantë të Gjermanisë për sigurinë e Izraelit për shkak të së kaluarës naziste të vendit.
Berlini rifilloi dërgesat e diskutueshme të armëve për Izraelin në tetor, pavarësisht shqetësimeve ndërkombëtare për një fushatë ushtarake gjenocidale në Rripin e Gazës.
Zëdhënësi i qeverisë tha se ndërsa vendi i tij në përgjithësi mbështet GjNP-n, ajo ende nuk ka vendosur nëse do të zbatonte në të vërtetë urdhër arrestin për Netanyahun dhe Gallant, nëse ata hyjnë në tokën gjermane.
Ai gjithashtu vuri në dukje "marrëdhëniet unike dhe përgjegjësinë e madhe të Gjermanisë ndaj Izraelit" si pasojë e historisë gjermane, duke sugjeruar se kjo do të ndikonte në çdo proces vendimmarrjeje.
Gjykata me bazë në Hagë njoftoi të enjten urdhër-arrestet për Netanyahun dhe Gallant "për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera nga të paktën 8 tetori 2023 deri të paktën më 20 maj 2024", kur prokurori i GJNP-së Karim Khan kërkoi urdhër-arrestet.
Ofensiva e Izraelit në Rripin e Gazës ka vrarë më shumë se 44,000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Sulmi ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit dhe një bllokadë e qëllimshme ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, duke e çuar popullatën në prag të urisë.