Gjermania nuk është në gjendje të zëvendësojë plotësisht gazin rus në afat të shkurtër, tha kancelari Olaf Scholz.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve në një ngjarje dialogu në Essen, Scholz tha se qeveria e tij do të vazhdojë të ndërmarrë hapa për të thyer varësinë e saj energjetike nga Rusia, por ndërprerja e plotë e blerjeve të gazit nga ky vend nuk është diçka e realizueshme.
“Ne nuk do ta bëjmë këtë nga ana jonë, nuk mendoj se kjo do të jetë një lëvizje shumë e përgjegjshme. Por ne jemi gjithashtu të përgatitur për çdo kundër-reagim”, tha politikani socialdemokrat, duke iu referuar ndërprerjeve të furnizimit me gaz mes tensioneve të Rusisë dhe Ukrainës.
Këtë javë, Rusia ndaloi dërgesat e gazit në Gjermani përmes tubacionit Nord Stream, duke përmendur arsyet e mirëmbajtjes. Megjithatë, disa politikanë gjermanë akuzuan Moskën se përdor gazin si armë për të ushtruar presion mbi Berlinin.
Scholz nënvizoi se Gjermania ka ndërmarrë tashmë hapa të mëdhenj në muajt e fundit për të zhvilluar alternativa ndaj gazit rus dhe tani po ndërton terminale të gazit natyror të lëngshëm për të importuar LNG nga vendet e tjera.
Ai tha gjithashtu se në Evropë po zhvillohen diskutime për ndërtimin e tubacioneve të reja, të cilat mund të sjellin gaz nga Afrika dhe Lindja e Afërt, por theksoi se të gjitha këto përpjekje do të kërkojnë kohë.
Para luftës në Ukrainë, Rusia furnizonte 55 për qind të gazit natyror të Gjermanisë, por qeveria ka arritur ta zvogëlojë këtë varësi në 26 për qind në qershor, sipas shifrave zyrtare.
Berlini po planifikon ta zvogëlojë këtë shifër në një maksimum prej 10 për qind deri në verën e vitit 2024.
2 Sht 2022
Gjermania nuk mund ta zëvendësojë plotësisht gazin rus
Berlini do të vazhdojë të reduktojë varësinë e tij, por ndërprerja e të gjitha importeve të gazit rus nuk do të ishte një veprim përgjegjës, tha kancelari Olaf Scholz.
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore