Një gjykatë pakistaneze pezulloi të martën dënimin me tre vjet të ish-kryeministrit Imran Khan për akuzat për korrupsion, duke urdhëruar lirimin e tij me kusht.
Një trup gjykues prej dy gjyqtarësh i Gjykatës së Lartë të Islamabadit, i udhëhequr nga gjyqtari Aamer Farooq, i cili rezervoi vendimin të hënën, njoftoi urdhrin e shkurtër për apelimin e Khanit.
Politikani 70-vjeçar u dënua nga një gjykatë në Islamabad në fillim të këtij muaji për fshehje të detajeve dhe shitje të paligjshme të dhuratave shtetërore që mori gjatë mandatit të tij gati katërvjeçar si kryeministër nga 2018 deri në 2022. Për rrjedhojë, ai u ndalua nga mbajtja e posteve publike për pesë vjet nga komisioni zgjedhor.
Khan, i cili po përballet me një sërë rastesh, u rrëzua nga një votim mosbesimi në prill 2022. Ai aktualisht është i burgosur në qytetin veriperëndimor Attock.
Pavarësisht pezullimit të dënimit dhe dhënies me kusht, ka gjasa të pakta për lirimin e Khanit nga burgu pasi ai tashmë është në paraburgim gjyqësor me akuzën e ekspozimit të sekreteve zyrtare. Autoriteteve të burgut u është kërkuar të mbajnë atë në një "bllokim gjyqësor" dhe ta nxjerrin përpara një gjykate speciale të mërkurën.
Rasti lidhet me komunikimin diplomatik midis Washingtonit dhe Islamabadit, për të cilin Khan thotë se ishte pjesë e një komploti të ShBA-së për të rrëzuar qeverinë e tij.