Gratë palestineze rikthejnë lavdinë e mëparshme të pazarit historik në qytetin e shenjtë të Nazaretit në veri të Izraelit.
Ky qytet i vjetër i Izraelit i banuar kryesisht nga palestinezët kujtohet për “Pazarin e Nuseve”, meqë të gjitha nuset vinin këtu dhe mbaronin pazaret e dasmës.
Prej vitesh pazari në fjalë ishte lënë pas dore, deri në vitin 2019 ku një organizatë jofitimprurëse e udhëhequr nga palestinezët e rinovoi atë.
Kjo zonë e cila pas investimeve ka marrë një fytyrë të re, por përsëri ka ruajtur epitetin "Pazari i nuseve", sepse të gjitha dyqanet deri në fund të kësaj rruge janë në pronësi të grave palestineze.
Ndër bizneset e drejtuara nga gratë palestineze janë pikat e ushqimit dhe pijeve, vendet për akomodim, galeritë e artit dhe artizanatet tradicionale palestineze si dhe shumë shërbime të tjera.
Njëra nga biznismenet palestineze, 28-vjeçarja Emane Totar, theksoi se përkundër të gjitha vështirësive, gratë në Palestinë po forcojnë rolin e tyre në shoqëri.
“Në të kaluarën ishte e vështirë për gratë palestineze të largoheshin nga shtëpitë e tyre, duke i rritur fëmijët e tyre në shtëpi, por tani gratë palestineze janë më të përfshira në biznese, ndërsa burrat ndihmojnë gratë dhe ndajnë përgjegjësitë”, tha Totar.
Totar vuri në dukje se gratë palestineze sot kanë arritur shumë në arsim, biznes dhe art.
Nga ana tjetër, 67-vjeçarja Sena Hussin Mezber, e cila shfaq artizanate tradicionale palestineze në dyqanin e saj kujton kohën e fëmijërisë dhe nostalgjinë e saj për pazarin historik.
"Kur isha i vogël ecja nëpër këtë rrugë për në shkollë. Ky vend ishte një pazar i vërtetë. Çdo mëngjes gomarët dhe devetë si mjete transporti kalonin pranë nesh në këtë rrugë," kujton Mezber.
Ashtu siç shpjegon Mezber, potenciali i pazarit historik në Qytetin e Vjetër është shumë i madh, sepse pelegrinët e krishterë e vizitojnë atë kur vijnë në “Tokën e Shenjtë”.
Dhiata e Re përmend Nazaretin si vendbanimin e Jezu Krishtit (Isës a.s.) gjatë fëmijërisë së tij.
Ndryshe, Nazareti numëron 72 mijë banorë dhe njihet si qyteti më i madh arab në Izrael.