Greqia dhe Malta po ngecin prapa anëtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian në ngrirjen e aseteve ruse të sanksionuara për pushtimin rus të Ukrainës në një kohë kur Bashkimi po shqyrton përdorimin e këtyre aseteve për të ndihmuar Kievin, sipas një zyrtari të BE-së dhe një dokumenti të brendshëm.
Deri më tani, në vendet e BE-së janë ngrirë asetet ruse me vlerë 20.3 miliardë euro.
Asetet me vlerë më shumë se një miliard janë ngrirë nga autoritetet e Italisë, Irlandës, Francës, Spanjës, Gjermanisë, Beligjikës, Luksemburgut dhe Austrisë.
Pothuajse çdo vend tjetër i BE-së ka ngrirë asete me vlerë të paktën disa milionë euro, sipas një dokumenti të Komisionit Evropian të parë nga Reuters-i.
Greqia dhe Malta mbrojnë veprimet e tyre për çështjen e sanksioneve. Greqia konfirmoi se kishte njoftuar bllokun për një ngrirje të aseteve me vlerë 212.000 euro dhe Malta tha se kishte ngrirë 147.000 euro asete ruse.
"Është pak befasuese”, tha një zyrtar i BE-së në kushte anonimiteti.
“Ose nuk kanë shumë, ose nuk e bëjnë punën e tyre, ose kanë bërë diçka dhe nuk na kanë njoftuar për këtë edhe pse kanë mundur”, shtoi ai.
Një zyrtar grek thotë se kjo shifër përfshin të gjitha asetet e identifikuara nga Athina në listën e sanksioneve të BE-së.
"Mjedisi i investimeve greke nuk favorizon fluksin e kapitalit rus dhe kompanitë off-shore”, shtoi zyrtari.
Një zëdhënës i qeverisë malteze konfirmoi gjithashtu pretendimin për asete të ngrira ruse.
“Pasuritë janë ngrirë ose shitur sipas vendimeve të gjykatës, ndërsa të ardhurat janë ngrirë për shkak të bashkëpunimit të Maltës me juridiksionet e tjera evropiane”, tha ai.
Ai nuk pranoi të përgjigjet nëse Malta do të ngrinte fonde shtesë sipas sanksioneve ekzistuese.
Mbështetje Ukrainës
Janë 1.300 persona dhe 120 subjekte në listën e personave të sanksionuar nga BE-ja për pushtimin e Ukrainës.
Këtë vit, BE-ja do të shqyrtojë përdorimin e mundshëm të fondeve të ngrira ruse për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës. Në atë rast, në tavolinë do të ishin edhe asetet e Bankës Qendrore të Rusisë në Evropë me vlerë 300 miliardë euro.
Vitin e kaluar, komisioni propozoi investimin e aseteve dhe dorëzimin e të ardhurave në Ukrainë.
Në këtë mënyrë, prona mund t'u kthehet pronarëve nëse hiqen sanksionet.
Një procedurë e tillë do të ishte e paprecedentë dhe disa shtete anëtare kanë shprehur shqetësimin për padi të mundshme.
BE-ja po punon gjithashtu për ta bërë evazionin e sanksioneve një vepër penale në shtetet anëtare.