Hetuesit kanë gjetur gjurmë të eksplozivëve në vendin e gypave të dëmtuar të gazsjellësit Nord Stream, duke konfirmuar se bëhet fjalë për sabotazh, thonë prokurorët suedezë.
“Analiza e kryer tregon gjurmë të eksplozivëve në disa prej objekteve që janë marrë për analizë”, tha Autoriteti i Prokurorisë Suedeze në një deklaratë të premten.
Në deklaratë thuhet se hetimi është shumë kompleks dhe gjithëpërfshirës. Hetimi në vazhdim do të përcaktojë nëse mund të identifikohet ndonjë i dyshuar.
Autoritetet suedeze dhe daneze po hetojnë katër vrima në gypat e gazsjellësve Nord Stream 1 dhe 2, të cilët lidhin Rusinë dhe Gjermaninë nëpërmjet Detit Baltik dhe u kthyen në një pikë të rëndësishme në krizën e Ukrainës.
Danimarka muajin e kaluar tha se hetimet paraprake tregojnë se dëmtimet u shkaktuan nga shpërthime të fuqishme.
Zyra e prokurorit refuzoi të komentojë më tej për këtë temë.