I dërguari i posaçëm kinez takon presidentin ukrainas në Kiev / Foto: Reuters

I dërguari i Kinës për çështjet euroaziatike, Li Hui, është pritur në takim në Kiev nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës, të dyja palët shkëmbyen mendime mbi zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë dhe marrëdhëniet Kinë-Ukrainë.

Li, i cili muajin e kaluar u zgjodh nga presidenti kinez, Xi Jinping, si i dërguari i posaçëm për Ukrainën, të martën dhe të mërkurën qëndroi për një vizitë në Kiev.

Në njoftim thuhet se Li gjithashtu u takua me zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas, përfshirë shefin e diplomacisë, Dmytro Kuleba.

Ai zhvilloi gjithashtu bisedime me zyrtarë nga ministritë ukrainase të infrastrukturës, energjisë dhe mbrojtjes.

“Të gjitha palët duhet të fillojnë nga vetja, të grumbullojnë besim të ndërsjellë dhe të krijojnë kushte për përfundimin e luftës dhe bisedimeve të paqes”, u tha Li zyrtarëve ukrainasë.

Më tej, Li tha se Kina do të vazhdojë përpjekjet për të ndaluar luftën.

“Kina është e gatshme të promovojë komunitetin ndërkombëtar për të formuar emëruesin më të madh të përbashkët për zgjidhjen e krizës ukrainase dhe të bëjë përpjekjet e veta për të ndaluar luftën, për të pushuar zjarrin dhe për të rivendosur paqen sa më parë”.

Pala ukrainase, thuhet në njoftim, e mirëpriti Kinën për të “luajtur një rol aktiv në përfundimin e luftës dhe rivendosjen e paqes”.

Ministria kineze tha se Kievi e siguroi të dërguarin e posaçëm kinez për respektimin e parimit të një Kine.

Emërimi i të dërguarit të posaçëm erdhi pasi presidenti kinez muajin e kaluar zhvilloi telefonatën e tij të parë me presidentin ukrainas që nga fillimi i luftës Moskë-Kiev në muajin shkurt të vitit 2022.

Përveç Ukrainës, Li do të vizitojë Poloninë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë për të gjetur një zgjidhje për krizën në Ukrainë.

AA