Indonezia: Vendeve myslimane u kërkohet normalizim i raporteve me Izraelin / Photo: AA

Ministrja e Jashtme e Indonezisë, Retno Marsudi, deklaroi se Izraeli dhe aleatët e tij po bëjnë presion mbi vendet myslimane për të normalizuar marrëdhëniet me Tel Avivin. Sipas gazetës "Jakarta Globe", Marsudi foli në konferencën e mbajtur në Universitetin Gadjah Mada (UGM) në Yogyakarta, Indonezi.

Marsudi pohoi se vendet myslimane janë subjekt i presionit të jashtëm në marrëdhëniet e tyre me Izraelin.

"Izraeli dhe aleatët e tij bëjnë përpjekje sistematike për të lobuar dhe për t'u bërë presion vendeve myslimane që të mendojnë për normalizimin e marrëdhënieve të tyre me Izraelin", tha Marsudi.

Duke thënë se Indonezia vazhdon politikën e saj për të mbështetur Palestinën, Marsudi nënvizoi se vendi i saj nuk ka plane ta ndryshojë këtë politikë.

Marsudi theksoi se Indonezia vazhdon të mbajë linjën e saj të qëndrueshme në mbështetje të Palestinës në përputhje me parimet dhe vlerat universale.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 u vranë 36.439 palestinezë, përfshirë të paktën 15.328 fëmijë dhe 10.171 gra, ndërsa 82.627 u plagosën.

TRT Balkan / agjencitë