Irani përshëndeti armëpushimin midis Libanit dhe Izraelit që hyri në fuqi sot, duke u dhënë fund luftimeve 14 mujore midis ushtrisë izraelite dhe grupit libanez Hezbollah.
Në një deklaratë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, përshëndeti këto zhvillime, duke theksuar "mbështetjen e vendosur të vendit të tij për qeverinë, kombin dhe rezistencën libaneze".
Ai theksoi përgjegjësinë e bashkësisë ndërkombëtare në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në presionin ndaj Izraelit për të ndaluar agresionin e tij në Gaza, ku ka vrarë më shumë se 44 mijë palestinezë që nga sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023.
Armëpushimi midis Izraelit dhe Hezbollahut, i ndërmjetësuar me përpjekjet diplomatike të ShBA-së dhe Francës, hyri në fuqi në orën 4 të mëngjesit me orën lokale.
Hezbollahu filloi një seri sulmesh me raketa balistike, raketa dhe dronë mbi Izraelin menjëherë pas inkursionit të Hamasit, për të demonstruar solidaritet me grupin e rezistencës dhe popullin e Gazës dhe për të bërë presion ndaj Izraelit për një armëpushim në enklavën bregdetare të rrethuar.
Teksa lufta ndërkufitare vazhdonte, Izraeli në fund të shtatorit filloi sulme masive ajrore në gjithë Libanin kundër, siç tha, objektivave të Hezbollahut. Duke përshkallëzuar më tej situatën, Izraeli nisi një pushtim tokësor në tetor.