Izraeli njofton se ushtria e tij do të mbetet në "zonën tampon" në Liban.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha të martën se ushtria do të qëndrojë në pesë pika në jug të Libanit, duke i quajtur ato "zona tampon" për të mbrojtur vendbanimet izraelite nga sulmet e Hezbollahut.

"Që nga sot, IDF (ushtria) do të qëndrojë në një zonë tampon në Liban në pesë postblloqe strategjike dhe do të vazhdojë të ndërhyjë me forcë dhe pa kompromis kundër çdo shkeljeje nga Hezbollahu," tha ai në një deklaratë.

"Hezbollahu duhet të tërhiqet plotësisht përtej vijës së lumenjtë Litani dhe ushtria libaneze duhet ta zbatojë dhe ta çarmatosë atë nën mbikëqyrjen e mekanizmit të ngritur nën udhëheqjen e ShBA-së," shtoi ai.

Ushtria izraelite u tërhoq nga qytetet e jugut të Libanit mëngjesin e së martës, por mbeti në pesë pika kufitare.

Pesë pikat përfshijnë një kodër pranë Labouneh, majën e Jabal Blat, një kodër përballë Avivim dhe Malkia; një kodër përballë Margaliot; dhe një kodër përballë Metula.

Sipas gazetës izraelite Yedioth Ahronoth, vendosja e trupave izraelite në pesë postblloqet ishte në përputhje me ShBA-në.

Gazeta tha se ushtria nuk priste "një përgjigje të menjëhershme nga Hezbollah" për qëndrimin në pesë postblloqet.

Javën e kaluar, zyrtarët libanezë refuzuan kërkesën izraelite për të qëndruar në pesë lokacione në jug të Libanit përtej afatit të tërheqjes më 18 shkurt.

Të dielën, Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se Izraeli duhet të tërhiqet plotësisht nga jugu i Libanit deri më 18 shkurt.

Një armëpushim i brishtë është në fuqi në Liban që nga 27 nëntori, duke përfunduar muajt e bombardimeve të ndërsjella mes Izraelit dhe Hezbollahut, që eskaluan në një konflikt të plotë në shtatorin e kaluar.

Pavarësisht armëpushimit, Izraeli ka kryer pothuajse 1.000 shkelje, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra njerëz në Liban, përfshirë gra dhe fëmijë.

TRT Balkan / agjencitë