Izraeli: Pushtohet Rafah në 72 orë nëse nuk arrihet marrëveshje armëpushimi / Photo: AA

Ushtria izraelite ka paralajmëruar se është e përgatitur të pushtojë Rafahun në Rripin jugor të Gazës brenda 72 orëve nëse nuk arrihet një marrëveshje për një armëpushim, raportojnë mediat izraelite.

Ndërkohë, Egjipti me qëllim arritjen e një armëpushimi në Gaza po pret negociata të gjera me delegacione nga Izraeli dhe Hamasi.

Faqja e lajmeve izraelite Ynet raportoi se shefi i shtabit të ushtrisë izraelite Herzi Halevi miratoi planet përfundimtare për një ofensivë ushtarake në Rafah së bashku me një plan për lëvizjen e civilëve drejt zonave në Rripin qendror të Gazës.

Faqja e lajmeve citoi një burim të paidentifikuar që tha se tanket dhe trupat e ushtrisë izraelite janë rreshtuar pranë kufirit të Gazës dhe gati për dritën jeshile për të filluar ofensivën.

Ai shtoi se 48 deri në 72 orët e ardhshme janë kritike për sa i përket arritjes së një marrëveshjeje me grupin Hamas ose fillimit të sulmit në Rafah.

Të hënën, media izraelite njoftuan se një delegacion izraelit është planifikuar të udhëtojë në Egjipt për t'u takuar me zyrtarë egjiptianë të sigurisë mbi përpjekjet për një armëpushim në Gaza.

Egjipti gjithashtu konfirmoi të hënën se ka një propozim të ri për një armëpushim në Rripin e bllokuar të Gazës.

"Ka një propozim në tryezë për të arritur një armëpushim në Gaza", tha ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry gjatë një takimi të Forumit Ekonomik Botëror në Arabinë Saudite.

Rafah është zona e fundit e mbetur në enklavë ku Izraeli ende nuk ka njoftuar zyrtarisht hyrjen e trupave të tij për të vazhduar sulmin kundër palestinezëve.

Hamasi vlerësohet të ketë më shumë se 130 pengje izraelite, ndërsa Tel Avivi mban mbi 9.100 palestinezë në burgjet e tij.

Hamasi kërkon fundin e ofensivës vdekjeprurëse të Izraelit në Rripin e Gazës dhe tërheqjen e forcave izraelite nga territori për çdo marrëveshje shkëmbimi pengjesh me Tel Avivin.

Një marrëveshje e mëparshme në nëntor 2023 pa lirimin e 81 izraelitëve dhe 24 të huajve në këmbim të 240 palestinezëve, përfshirë 71 gra dhe 169 fëmijë.

AA