Ekonomisti dhe ish-ministri i Financave Santiago Pena nga Partia e djathtë Colorado fitoi zgjedhjet presidenciale të Paraguait, duke mposhtur kandidatin e opozitës së qendrës së majtë, Efrain Alegre.
Me më shumë se 99 për qind të votave të numëruara, rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura dje treguan se Pena fitoi 42,7 për qind të votave. Alegre, nga Partia Autentike Radikale Liberale, u radhit i dyti me 27,4 për qind.
Në Paraguaj nuk ka raund të dytë të zgjedhjeve, që do të thotë se presidenti dhe zv.presidenti zgjidhen me shumicën e votave. Gati 5 milionë njerëz kishin të drejtë vote në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, në të cilat u zgjodhën edhe anëtarët e Kongresit dhe guvernatorët.
Me këtë fitore, Partia Konservatore Colorado do të mbajë pushtetin e saj prej dekadash, pavarësisht konflikteve të brendshme dhe akuzave për korrupsion kundër ish-presidentit të vendit dhe liderit aktual të partisë, Horacio Cartes.
"Faleminderit atyre që na besuan ëndrrat e tyre, besuan në këtë projekt, shprehën shpresat që ne të jemi më mirë dhe do të jemi më mirë", tha Pena.
Ndërkohë, Alegre e pranoi humbjen.
"Ne nuk kemi arritur qëllimin e kërkuar për ndryshim", tha ai.
Presidenti aktual Mario Abdo Benitez gjithashtu ka shprehur urime për presidentin e ri, Santiago Pena.
"Urime popullit paraguaian për pjesëmarrjen e tij të madhe në këtë ditë zgjedhjesh dhe presidentit të sapozgjedhur Santiago Pena. Ne do të punojmë për të nisur një tranzicion të rregullt dhe transparent që forcon institucionet tona dhe demokracinë e vendit", u shpreh ai në Twitter.
Presidenti i ri do të inaugurohet më 15 gusht për një mandat pesëvjeçar.
Fushata presidenciale u përqendrua edhe në disa çështje të diskutueshme të politikës së jashtme, duke përfshirë marrëdhëniet e vendit me Tajvanin.
Alegre e kritikoi këtë marrëdhënie, duke thënë se e ka bërë të vështirë për vendin të eksportojë sojë dhe mish viçi në Kinë, një blerës i madh global.
Megjithatë, ambasada e Tajvanit në Paraguaj e uroi Penën për fitoren e tij në zgjedhje.
"Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë marrëdhënie të frytshme të partnerëve të prosperitetit", tha ambasada në një deklaratë të shkurtër në faqen e saj në Facebook.
Paraguai është një nga vetëm 13 vendet që mban lidhje me Tajvanin, duke u bërë aleati i vetëm diplomatik i Tajvanit në Amerikën e Jugut.