Zvicër: 5 parti politike pro kufizimit të IA-së në zgjedhje.     /Foto: AP

Pesë parti politike zvicerane kanë rënë dakord të kufizojnë përdorimin e Inteligjencës Artificiale (IA) në fushatat e tyre për zgjedhjet federale të 22 tetorit.

Siç raportoi agjencia shtetërore e lajmeve ‘Swissinfo’, nënshkruesit e deklaratës së përbashkët, respektivisht Partia Socialdemokrate, Partia e Qendrës, Partia e Gjelbër, Partia e Gjelbër Liberale dhe Partia Protestante, udhëzuan seksionet e tyre kantonale të respektojnë kodin e sjelljes, i cili thotë se çdo përdorim i IA-së gjatë fushatave politike duhet të deklarohet në mënyrë eksplicite.

Partitë politike po ashtu ndalojnë përdorimin e IA-së në të ashtuquajturat “fushata negative”, ku ata sulmojnë kundërshtarët e tyre politikë.

“IA-ja përfaqëson një mundësi për të mundësuar forma të reja komunikimi. Por, ajo gjithashtu paraqet rreziqe, duke e bërë të mundur të shtrembërohen faktet ose t’u atribuohen gjëra aktorëve të caktuar politikë që ata nuk do t’i kishin thënë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Megjithatë, Partia Radikale-Liberale nuk e nënshkroi deklaratën, por tha se është e angazhuar të ndalojë çdo përdorim abuziv të IA-së.

Duke argumentuar se kufijtë e asaj që përbën një fushatë negative janë të paqarta, Partia Popullore Zvicerane refuzoi ndërmarrjen e angazhimeve për këtë çështje.

TRT Balkan / agjencitë