Ministri i Jashtëm i Katarit ka akuzuar Gjermaninë për “standarde të dyfishta” lidhur me kritikat e tyre për nikoqirin e Kupës së Botës, e që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.
“Në njërën anë, popullata gjermane po keqinformohet nga qeveria dhe politikanët; në anën tjetër, qeveria nuk ka problem me ne kur bëhet fjalë për partneritet energjetik dhe investime”, tha Mohammed bin Abulrahman Al Thani në një intervistë për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung të hënën.
Ai shtoi se Katari është i inatosur me standardet e dyfishta dhe se vendi i tij po përballet me fushatë sistematike në 12 vitet që kur u përzgjodh të jetë nikoqir i Kupës së Botës, ashtu siç nuk është ballafaquar asnjë vend tjetër.
“Është ironike kur ky fjalor përdoret në vendet e Evropës që e quajnë veten demokraci liberale. Tingëllon shumë arrogante dhe për të qenë i sinqertë edhe shumë raciste”, tha Al Thani për gazetën gjermane.
Ministri i Jashtëm i Katarit muajin e kaluar thirri në bisedë ambasadorin gjerman pas komenteve të ministrit të brendshëm Nancy Faeser, se respektimi i të drejtave të njeriut duhet të merret si faktor kur të selektohen nikoqirët e Kupës së Botës.
Thirrjet për garanci sigurie për pakicat – të cilat Faeser i kishte kërkuar si parakusht përpara se të pranonte të merrte pjesë në Kupën e Botës – Al Thani i cilësoi si të tepërta dhe tha se politikanët gjermanë duhet të fokusohen më shumë në krimet e urrejtjes që ndodhin brenda kufijve të vendit të tyre.
Kupa e Botës në Katar fillon më 20 nëntor dhe do të zgjasë deri më 18 dhjetor.