Në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, filloi "Samiti i 24-t i Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO)".
Samiti i mbajtur në formatin "SCO+" nën Presidencën e Kazakistanit, nisi në Pallatin e Pavarësisë në Astana me mbledhjen e Këshillit të krerëve të shteteve të vendeve anëtare të SCO-së.
Në takimin e organizuar nga presidenti i Kazakistanit, Kassym Jomart Tokayev, morën pjesë presidenti rus, Vlladimir Putin, presidenti kinez, Xi Jinping, presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, presidenti i Kirgistanit, Sadyr Japarov, presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rahmon, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, presidenti i përkohshëm i Iranit, Mohammad Mokhber, ministri i Jashtëm i Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko dhe Sekretari i Përgjithshëm i SCO-së, Zhang Ming.
Përpara takimit të mbajtur me dyer të mbyllura, liderët nënshkruan vendimin për zgjedhjen e Bjellorusisë si anëtare e plotë e SCO-së. Në këtë mënyrë Bjellorusia u bë anëtarja e 10-të e SCO-së.
Pasdite do të mbahet edhe samiti "SCO+" i titulluar "Forcimi i Dialogut Shumëpalësh: Përpjekja për Paqe dhe Zhvillim të Qëndrueshëm" në të cilin merr pjesë edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan.