Komandanti i ushtrisë amerikane viziton Izraelin për armëpushim në Gaza. / Foto: AA

Komandanti i Komandës Qendrore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (US CENTCOM), gjenerali Michael Kurilla, ka mbërritur në Izrael për të mbajtur takime urgjente me zyrtarë izraelitë pas raportimeve për përparim të rëndësishëm në negociatat për armëpushim në Gaza mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas.

Transmetuesi publik izraelit KAN raporton se Kurilla mbërriti të hënën pasdite në Izrael, por detajet e agjendës së tij dhe takimeve me zyrtarët izraelitë nuk janë bërë të ditura.

Kjo vizitë ndodh në mes të raportimeve që sugjerojnë se Hamasi dhe Izraeli po afrohen drejt një marrëveshjeje për armëpushim dhe shkëmbim të burgosurve dhe pengjeve, për të përfunduar luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës.

Para se të mbërrinte në Tel Aviv, gjenerali i lartë amerikan vizitoi Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Libanin, ku diskutoi me zyrtarët përkatës për zhvillimet rajonale dhe sigurinë, sipas një deklarate të CENTCOM-it.

Kurilla u takua veçmas me krerët e ushtrisë së Egjiptit dhe Arabisë Saudite, ndërsa në Liban u takua me presidentin libanez Joseph Aoun.

Pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli vazhdon luftën gjenocidale në Gaza, ku që nga 7 tetori 2023 janë vrarë mbi 46.500 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale në nëntor ka lëshuar urdhra arresti për Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu po përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

TRT Balkan / agjencitë