Komisari evropian: BE-së po "i mbaron koha" për reformën e migracionit / Foto: AA

Komisioni Evropian paralajmëroi të mërkurën se bllokut "po i mbaron koha" për të reformuar politikën e migracionit dhe u bëri thirrje anëtarëve dhe ligjvënësve të BE-së që t'i japin dritën jeshile paktit të ri të BE-së për migrimin dhe azilin.

Duke folur në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës, nënkryetari i Komisionit të BE-së, përgjegjës për paktin e migracionit dhe azilit, Margaritis Schinas, theksoi se "historia po vëzhgon" Bashkimin Evropian.

Ai u bëri thirrje ligjvënësve dhe kryeqyteteve të BE-së të aprovojnë paktin e ri përpara zgjedhjeve parlamentare të BE-së të vitit të ardhshëm.

Nëse BE-ja nuk arrin të bjerë dakord për reformën që është përgatitur që nga viti 2016, “ne do t'u hedhim karburant pretendimeve të rreme të bëra nga armiqtë e demokracisë, nga dezinformatat ruse se Evropa është e paaftë për të menaxhuar migracionin”, nënvizoi Schinas.

Sipas komisarit të BE-së, zbrazëtirat në politikën e migracionit të bllokut janë "ndoshta faktori më i madh tërheqës" për kontrabandistët e njerëzve dhe migrimin e parregullt.

Ai pohoi gjithashtu se BE-ja paguan çmimin për mungesën e një politike të unifikuar të BE-së, pasi ajo reagon "për ngjarje të ndryshme rast pas rasti me mjete ad hoc dhe në një mjedis rregullator të larmishëm".

Paketa ligjore, ndër të tjerash, krijon një procedurë të përbashkët kufitare të BE-së me një kontroll të shpejtë për të parë nëse migranti do të kualifikohej për mbrojtje ndërkombëtare përpara se të hynte në bllok dhe përshpejton procedurat e kthimit për ata, kërkesa e të cilëve refuzohet.

Ajo gjithashtu imponon solidaritet të detyrueshëm duke i detyruar vendet anëtare të BE-së të marrin përsipër azilkërkuesit nëse një vend i BE-së bie nën presion të madh migrator.

Pakti fokusohet gjithashtu në krijimin e partneriteteve me vendet e origjinës dhe tranzitit.

Ambasadorët e BE-së diskutuan të mërkurën mbi të ashtuquajturat "masa të krizës", pjesa më e diskutueshme e paketës.

Vendet anëtare të BE-së pritej të arrinin një marrëveshje javën e kaluar, por marrëveshja dështoi për shkak të mosmarrëveshjes midis Gjermanisë dhe Italisë.

AA