Konferenca e Paqes së Mynihut, plani i Trumpit për paqe në Ukrainë dhe situata në Lindjen e Mesme në krye të agjendës.
Rreth 60 krerë shtetesh dhe qeverish do të mblidhen nesër në Mynih të Gjermanisë në një konferencë vjetore të sigurisë për të diskutuar konfliktet ndërkombëtare, sfidat gjeopolitike dhe marrëdhëniet transatlantike.
Konferenca e 61-të e Sigurisë në Mynih vjen në një kohë të rëndësishme pasi administrata e re e ShBA-së mori detyrën muajin e kaluar, e shoqëruar me një përbërje të parlamentit evropian dhe zgjedhjeve parlamentare gjermane që do të mbahen vetëm një javë pas konferencës.
Plani i paqes i presidentit amerikan, Donald Trump, për Ukrainën dhe situata në Lindjen e Mesme do të jenë ndër çështjet kryesore që do të diskutohen në konferencë.
Rreth 150 ministra nga e gjithë bota, duke përfshirë ministrat e jashtëm të vendeve të grupit G7, pritet gjithashtu të marrin pjesë në forumin për debatimin e politikës ndërkombëtare të sigurisë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, zv/presidenti i ShBA-së, JD Vance dhe i dërguari special i presidentit amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, do të jenë ndër zyrtarët më të lartë që do të marrin pjesë në konferencën treditore të nivelit të lartë.
Megjithatë, zyrtarët e qeverisë ruse nuk janë ftuar, duke vazhduar trendin që nga fillimi i luftës në Ukrainë gati tre vjet më parë.
Përveç bisedimeve intensive që pritet të zhvillohen mbi luftën në Ukrainë, konferenca do të trajtojë gjithashtu krizën në Lindjen e Mesme, procesin politik të Sirisë, konfliktet në Afrikë dhe tensionet në Azinë Juglindore.
Duke folur në një konferencë për media të hënën në Berlin, kryetari i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, ambasadori Christoph Heusgen, tha: "Nuk mund të them nëse një plan do të shpallet në konferencë, por jam i sigurt se konferenca do të jetë një mundësi për të diskutuar për skicën e një plani të tillë dhe cilat parametra duhet të përfshihen në një marrëveshje të tillë".
- "Rendi global po zhvendoset nga unipolariteti i udhëhequr nga ShBA-ja drejt multipolaritetit"
Sipas një raporti të ri 151 faqesh nga Konferenca e Sigurisë së Mynihut, bota e sotme po formësohet nga "multi-polarizimi", ndërsa hegjemonia e ShBA-së bie, fuqitë e reja në zhvillim po rriten më me ndikim në çështjet kryesore globale.
Raporti i Sigurisë së Mynihut 2025, i lëshuar përpara konferencës, thotë se bota po hyn në një epokë tensionesh dhe pasigurie të shtuara, ndërsa ajo zhvendoset nga unipolariteti i udhëhequr nga ShBA-ja drejt multipolaritetit.
Sipas autorëve, multipolarizimi nuk është i dukshëm vetëm në ndikimin në rritje të fuqive në zhvillim, por edhe në zgjerimin e ndarjeve ideologjike, pasi vlerat liberale humbasin dominimin e tyre, qoftë brenda shteteve, qoftë edhe në të gjithë sistemin global.
Raporti gjithashtu sugjeron që kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund ta përshpejtojë këtë ndryshim, duke sinjalizuar fundin e "Pax Americana".
Konferenca do të fillojë nesër me fjalimin hapës të presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Gjatë konferencës tre-ditore, Vance, Zelenskyy, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të mbajnë gjithashtu fjalime.
Gjithashtu, në samit marrin pjesë edhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani dhe ministrja kanadeze e Punëve të Jashtme, Melanie Joly.
Është paralajmëruar pjesëmarrja edhe e sekretarit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), Karim Khan dhe komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.
Në konferencë do të marrë pjesë për herë të parë edhe ministri i ri i Punëve të Jashtme i Sirisë, Asaad al-Shaibani.
Programi kryesor i konferencës nesër do të fillojë me fokus në sfidat globale të sigurisë, duke përfshirë qeverisjen globale, qëndrueshmërinë demokratike dhe sigurinë klimatike.
Të shtunën do të zhvillohen debate për gjendjen e rendit ndërkombëtar, si dhe për konfliktet dhe krizat rajonale. E ardhmja e partneritetit transatlantik do të jetë gjithashtu një fokus.
Konferenca do të mbyllet me diskutime mbi rolin e Evropës në botë.