Koreja e Jugut vendos kufizime të reja për përdorimin e DeepSeek. / Foto: AA Archive

Koreja e Jugut vendosi të enjten kufizime të reja mbi përdorimin e chatbot-it kinez me inteligjencë artificiale, DeepSeek, nga zyrtarët qeveritarë, për shkak të shqetësimeve mbi mbledhjen e të dhënave.

Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap me bazë në Seul, Ministria e Mjedisit e vendit bllokoi aksesin në DeepSeek për arsye të shumta teknike.

Ministria bllokoi qasjen në DeepSeek nga kompjuterët e saj të lidhur me internetin, por nuk ndërmori një masë të tillë për shërbime të tjera të inteligjencës artificiale gjenerative, si OpenAI dhe ChatGPT.

Ministria e Financave planifikon të ndjekë të njëjtin shembull.

“Për shkak të shqetësimeve të shumta teknike të ngritura për DeepSeek si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ne planifikojmë të bllokojmë qasjen në këtë shërbim nga kompjuterët e lidhur me rrjete të jashtme,” tha një zyrtar i Ministrisë së Financave.

Ky vendim vjen si pjesë e një iniciative qeveritare për të kufizuar aksesin në shërbimin kinez, me qëllim parandalimin e rrjedhjeve të mundshme të informacionit të ndjeshëm përmes shërbimeve të inteligjencës artificiale.

Kjo masë u mor një ditë pasi qasja në këtë shërbim u kufizua edhe në kompjuterët e ministrive të Jashtme, të Tregtisë dhe të Mbrojtjes në Korenë e Jugut.

Që nga lançimi i tij muajin e kaluar, DeepSeek ka tërhequr vëmendje të madhe, duke impresionuar ekspertët e industrisë me performancën e tij të lartë dhe koston relativisht të ulët krahasuar me shërbimet konkurruese.

Megjithatë, duke përmendur shqetësimet mbi sigurinë dhe praktikat e menaxhimit të të dhënave, shumë vende kanë vendosur kufizime ndaj këtij shërbimi.

TRT Balkan / agjencitë