Kosova shënoi 25-vjetorin e Betejës së Koshares / Photo: AA

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Betejës së Koshares.

Udhëheqës të institucioneve të larta të Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës e nisën këtë seancë me një minutë heshtje për të kujtuar të rënët në këtë betejë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Beteja e Koshares ishte pikë kthese për popullin kundër regjimit gjenocidal serb dhe ishte kryengritje civile për lirinë themelore.

Osmani tha se rezistencës së armatosur i parapriu rezistenca paqësore e udhëhequr nga presidenti historik Ibrahim Rugova.

"Në këtë betejë, të filluar më 9 prill 1999, Grupi Operativ 3, nën udhëheqjen e oficerëve të rryer ushtarakë profesionistë, si: Rrustem Berisha, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Anton Quni dhe shumë të tjerë, arritën ta realizojnë ëndrrën shekullore, thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Pas dy ditë luftimesh të ashpra, në fushë të nderit ra strategu i papërsëritshëm ushtarak, frymëzuesi i gjithë luftëtarëve, piktori, poeti, e artisti shumëdimensional, Agim Ramadani – Komandant Katana, me emrin e të cilit më pas u pagëzua Brigada 138", theksoi presidentja Osmani.

Në fjalën e tij para deputetëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se Beteja e Koshares pati sa rëndësi strategjike dhe operative aq edhe historike e kombëtare.

Sipas Kurtit, politika përfaqësuese dhe aktivizmi shoqëror nuk duhet të shihen të ndara nga historia.

"Beteja e Koshares zgjati mes luftimesh nga 9 prilli deri 10 qershor 1999. Panorama e madhe e historisë së Betejës së Koshares përcjell imazhin pothuajse tërë luftës se Kosovës si në një format miniature. Aty i shohim se në luftimet e Betejës së Koshares janë të përfshirë njësitë nga të gjitha zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si dhe nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë", theksoi Kurti.

Kurti tutje tha se derisa në ushtrinë serbe gjendeshin rusë, në UÇK kishte ushtarë nga Evropa.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, theksoi se thyerja e kufirit ishte ngjarje historike duke shtuar se kjo betejë ia pati humbur kontrollin ish-Jugosllavisë.

Beteja e Koshares u zhvillua nga 9 prilli 1999 deri më 10 qershor 1999 në kuadër të Operacionit Shigjeta, ndërmjet UÇK-së dhe ushtrisë Jugosllave (JNA-së).

Beteja u zhvillua rreth Koshares në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë gjatë Bombardimit të ish-Jugosllavisë nga NATO.

AA