Osmani: ShBA-ja është në ADN-në e suksesit të shtetit tonë / Photo: Vjosa Osmani/ Facebook

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se roli i ShBA-së ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, ndaj ShBA-ja është në ADN-në e suksesit të shtetit tonë.

Osmani ka shkruar në Facebook se në eventin qendror me rastin e 20-vjetorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në prag të Samitit ShBA-Afrikë, me pjesëmarrjen e Presidentit George W. Bush, njëherësh themelues i MCC-së, ka folur për shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, me ç’rast ka rikonfirmuar rolin e pakontestueshëm të ShBA-së për lirinë dhe shtetndërtimin.

“Në të njëjtën frymë sot, MCC-ja po e vazhdon këtë trashëgimi duke ofruar mbështetje të çmueshme për zhvillimin ekonomik e të qëndrueshëm të Kosovës duke e bërë vendin tonë pjesë të pandashme të sukseseve, të cilat i përfaqëson ShBA-ja kudo në botë”, ka shkruar Osmani.

Presidentja Osmani ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Teksas të ShBA-së ku do të marrë pjesë në Samitin ShBA-Afrikë, me ftesë të Qeverisë amerikane, përkatësisht agjencisë qeveritare Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit- MCC. Ajo gjatë këtij samiti do të mbajë fjalim, si dhe pritet të zhvillojë takime me homologë nga disa vende afrikane. Osmani do të zhvillojë takim edhe me krerët e shtetit të Teksasit, zyrtarë të tjerë të lartë të këtij shteti, zyrtarë të lartë shtetërorë të institucioneve amerikane dhe përfaqësues të Kongresit amerikan.

TRT Balkan / agjencitë