Ministria e Ekonomisë ka lansuar Ankandin e Parë të Erës prej 100 megavatë në Kosovë.
Ky ankand përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së objektivave të Kosovës në sektorin e energjisë së ripërtëritshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se krahas rritjes ekonomike të vendit, duhet të ketë edhe ndërtim të kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë. Ai tha se disa ditë para këtij ankandi, Kosova u përball me një sulm ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e Ibër-Lepencit që është i rëndësishëm për furnizim me ujë dhe energji elektrike.
"Diversifikimi dhe shumëfishimi i burimeve të energjisë përmes energjisë së ripërtëritshme, nuk është vetëm zgjidhje për zhvillimin e sektorit tonë energjetik e të ekonomisë, por edhe domosdoshmëri për ta mbrojtur pavarësinë energjetike të Kosovës", theksoi Kurti.
Ai potencoi se Kosova është me fat për shkak se ka potencial të madh për energji të ripërtëritshme, me rrezatim të bollshëm për energji diellore e erëra të forta në male, për energji të erës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kërkesa e Kosovës për energji që është në muajt e ftohtë të vitit dhe gjatë orëve të mbrëmjes, përkon shumë mirë me profilin e prodhimit të energjisë nga era. Ajo tha se ky projekt është jashtëzakonisht i rëndësishëm për gjenerimin dhe ekonominë e vendit.
"Kosova është një vend që ka potencial të jashtëzakonshëm për energji të erës. Rreth 17 për qind e territorit të Kosovës ka erëra të qëndrueshme me shpejtësi mbi 6 metra në sekondë kurse në zona malore kjo arrin deri në 8 metra në sekondë duke ofruar kështu kushte optimale për ndërtimin e kapaciteteve të erës mbi mesataren e shumë vendeve evropiane", theksoi Rizvanolli.
Ministrja e Ekonomisë tha se sot po hapet faza e parakualifikimit për ankandin e parë të erës e cila do të pasohet nga faza e ofertave financiare. Ajo theksoi se nga sot deri në përzgjedhjen e ofertuesit me çmimin më të ulët është një garë e kompanive të kualifikuara dhe motivuara për investime domethënëse në Kosovë.
Kosova është zotuar që deri në vitin 2031 të arrijë kapacitete prej 1.600 megavat nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, apo rreth 35 për qind të konsumit total.