Ushtrues i detyres kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka deklaruar se deri më tani janë përfunduar 7.643 intervista sa i përket procesit të regjistrimit të popullsisë. Sipas tij, çdo gjë është duke shkuar sipas planifikimeve, porse sfidë mbetet komuniteti serb në disa pjesë të vendit.
Kastrati në një konferencë për media të hënën derisa ka njoftuar lidhur me ecurinë e punës në terren për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, ka theksuar se në veri për shkak të disa trajnimeve ende nuk ka filluar ky proces në atë pjesë të Kosovës.
"Kemi disa sfida nga komuniteti serb në disa pjesë, e presim të tejkalohen. Ishim në pjesën veriore, presim që ditëve në vijim edhe ata të angazhohen në regjistrim. Kemi hyrë në fazën e grumbullimit të të dhënave në terren, pajisjet janë funksionale, njëkohësisht sistemi është duke funksionuar pasi ka qenë sfidë. Të gjitha aktivitetet e parapara janë në linjë me planin", tha Kastrati.
Ai ka shtuar se nga tani regjistruesit do të punojnë me kapacitet të plotë.
"Që nga tani regjistruesit do të punojnë me kapacitet të plotë, kanë pasur për detyrë të shpërndajnë disa materiale informuese dhe që nga tani do të zhvillohen intervistat. Të gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë në regjistrim dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu. Kemi edhe institucione të tjera ndërkombëtare që do ta monitorojnë procesin e regjistrimit", ka shtuar Kastrati.
Derisa ka njoftuar që ka qenë në vizitë në pjesën veriore të vendit, ai ka thënë se përfaqësuesit nga komuniteti serb kanë shprehur gatishmëri të regjistrohen.
"Vetë isha në pjesën veriore dhe jemi takuar me përfaqësues të komunitetit serb dhe ka një gatishmëri edhe të popullsia të regjistrohen, kanë kërkuar disa ditë afat që të trajnohen dhe ne jemi dakord. Shpresojmë se do të jenë në terren të grumbullojnë të dhëna. Popullsia është sfidë edhe për ata vetë", tha Kastrati.
I pyetur për thirrjen për bojkot nga Lista Serbe, ai ka thënë se, përveç ASK-së, janë të gjitha institucionet e përfshira, sidomos të sigurisë dhe gjyqësorit.
Ndryshe, Kastrati ka thënë se aplikacioni është në katër gjuhë, shqip, anglisht, turqisht dhe serbisht.