Kremlini: Ukraina hodhi poshtë idenë për armëpushim gjatë Krishtlindjeve.        Foto: AA

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se kryeministri hungarez Viktor Orban ofroi një armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës gjatë Krishtlindjeve, por presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e hodhi poshtë propozimin. Peskov publikoi detajet e bisedës telefonike mes Orbanit dhe presidentit rus Vlladimir Putin.

Ai theksoi se në bisedën telefonike të djeshme Orban ka paraqitur disa propozime në lidhje me Ukrainën.

"Orban propozoi një shkëmbim në shkallë të gjerë të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës në prag të Krishtlindjeve dhe një armëpushim në Krishtlindje", vuri në dukje Peskov.

Ai theksoi se Rusia nuk i ka refuzuar kurrë marrëveshjet e paqes.

“Duke gjykuar nga reagimet e Zelenskyt dhe rrethit të tij të njerëzve në rrjetet sociale, pala ukrainase hodhi poshtë të gjitha propozimet e Orbanit”, tha zëdhënësi i Kremlinit.

Peskov theksoi se Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB) dërgoi një listë të të arrestuarve që mund të shkëmbeheshin në ambasadën hungareze në Moskë menjëherë pas bisedës telefonike midis Putinit dhe Orbanit.

Të mërkurën, kryeministri hungarez dhe presidenti rus patën një bisedë telefonike për situatën në Ukrainë dhe Siri.

TRT Balkan / agjencitë