Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidenti rus Vlladimir Putin miratoi sigurimin e strehimit për Bashar al-Assad, liderin e rrëzuar të regjimit Baath në Siri, si dhe familjes së tij.
Peskov vlerësoi zhvillimet e fundit në Siri me gazetarët në kryeqytetin Moskë.
Duke iu referuar vendimit të Rusisë për t'i ofruar strehim Asadit dhe familjes së tij, Peskov tha:
"Vendime të tilla nuk merren pa lejen e presidentit. Ky është vendimi i tij."
Ai deklaroi se Putin nuk kishte plane të takohej me Assadin.
Peskov nuk ka dashur të japë informacione për vendndodhjen e Asadit.
Ai iu referua edhe situatës në lidhje me bazat ushtarake ruse Hmeymim dhe Tartus në Siri.
"Kjo është një çështje e rëndësishme. Është pak herët për të folur për të. Në çdo rast, kjo është një çështje që duhet të diskutohet me ata që do të jenë në pushtet në Siri. Tani ka ndryshim dhe paqëndrueshmëri ekstreme. Periudha vazhdon, kështu që kërkon kohë dhe konsultime serioze”, tha Peskov.
Ai theksoi se janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta garantuar sigurinë e këtyre bazave.
Ai vlerësoi edhe formatin e Astanës të krijuar nga Rusia, Türkiye dhe Irani për çështjen siriane.
"Ky format e ka humbur qëllimin e tij. Nga ana tjetër, ai mbetet gjithmonë në fuqi si një mekanizëm për shkëmbimin e mendimeve dhe konsultimeve politike midis vendeve. Në një mënyrë apo tjetër, këto konsultime do të vazhdojnë," shpjegoi Peskov.
Zëdhënësi i Kremlinit shtoi se ata po ndërveprojnë me Türkiyen dhe vendet e tjera të rajonit në lidhje me situatën në Siri.
Në fund të nëntorit, pati një intensifikim të konfliktit midis grupeve të armatosura kundër regjimit dhe forcave të regjimit të Bashar al-Assad në Siri.
Grupet vendosën supremacinë në provincat më të mëdha si Alepo, Idlib, Hama dhe Homs midis 30 nëntorit dhe 7 dhjetorit.
Forcat opozitare nisën një ofensivë rrufe, duke pushtuar qytetet kryesore dhe më pas, të dielën, kryeqytetin Damaskun.
Përparimi i shpejtë, i mbështetur nga njësitë e ushtrisë që dezertuan, çoi në rënien e regjimit të Asadit pas 13 vitesh lufte civile.
Assad dhe familja e tij ikën në Moskë.