Kreu i kompanisë ushtarake private "Wagner", Yevgeny Prigozhin, pretendon se 20 mijë luftëtarë të tij humbën jetën në betejën për qytetin Bakhmut të Ukrainës.
Në një intervistë me senatorin rus, Konstantin Dolgov, të publikuar dje, Prigozhin pretendon se humbjet e kompanisë së tij janë tri herë më të vogla se ato të forcave të armatosura të Ukrainës.
"Kisha 35 mijë në vijën e parë të frontit. Gjatë operacionit, zgjodha 50 mijë të burgosur, prej të cilëve rreth 20 për qind humbën jetën. I njëjti numër i vdekjeve është në mesin e atyre që iu bashkuan 'Wagner'-it nëpërmjet një kontrate (jo nga burgu)", tha Prigozhin.
Ai shtoi se rreth 20 për qind e luftëtarëve të tij kanë plagë që e bëjnë të pamundur kryerjen e detyrave luftarake për të paktën tre muaj. Kreu i "Wagner"-it shpjegoi se Ukraina pësoi humbje më të mëdha për shkak të vështirësive në evakuimin nga fusha e betejës derisa ishte nën sulm nga luftëtarët e tij.
Më 20 maj, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se forcat e armatosura ruse kishin kontroll të plotë të qytetit Bakhmut të Ukrainës.
Presidenti rus, Vladimir Putin, përgëzoi ushtrinë dhe luftëtarët e "Wagner"-it për këtë sukses.
Prigozhin tha se betejat për qytetin ukrainas zgjatën më shumë se 200 ditë. Sipas tij, është hera e parë që një qytet është marrë nga forcat e një kompanie private ushtarake.