Kryeministri britanik thirrje Iranit të përmbahet nga sulmi ndaj Izraelit /     Foto: AA 

Të hënën, kryeministri britanik Keir Starmer shprehu shqetësim të thellë për situatën në Lindjen e Mesme në një bisedë me presidentin iranian Masoud Pezeshkian.

Në një bisedë telefonike, Starmer u bëri thirrje të gjitha palëve që të depërshkallëzojnë dhe të shmangin konfrontimet e mëtejshme rajonale, sipas një deklarate nga Zyra e Kryeministrit.

"Kishte një rrezik serioz të keqvlerësimit dhe tani ishte koha për qetësi dhe konsideratë të kujdesshme", tha ai.

Starmer gjithashtu i bëri thirrje Iranit "të përmbahet nga sulmi ndaj Izraelit, duke shtuar se lufta nuk është në interesin e askujt".

Ai theksoi angazhimin për një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjitha pengjeve dhe një rritje të ndihmave humanitare për Gazën.

Fokusi duhet të jetë në negociatat diplomatike për të arritur këto rezultate, tha Starmer.

Tensionet janë rritur më tej në Lindjen e Mesme pas vrasjes më 31 korrik të liderit politik të Hamasit Ismail Hanijeh në Teheran dhe vrasjes nga Izraeli të komandantit të lartë të Hezbollahut Fuad Shukr në Bejrut.

Hamasi dhe Irani kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e Haniyeh, ndërsa Tel Avivi nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar përgjegjësinë.

Irani ka premtuar "dënim të ashpër" për Izraelin në hakmarrje për vrasjen e Hanijes në tokën iraniane.

Grupi libanez, Hezbollahu, pritet gjithashtu të hakmerret pasi Izraeli vrau Shukr në një sulm ajror në periferitë jugore të Bejrutit më 30 korrik.

Përshkallëzimi vjen në mes të një ofensive të vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës që ka vrarë afro 40.000 palestinezë pas një sulmi nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar që vrau 1.139 izraelitë.

AA