Kryeministri i Suedisë takohet me përfaqësues të komunitetit mysliman në vend    / Foto: AA

Kryeministri suedez Ulf Kristersson u takua me përfaqësues të komunitetit musliman në vend.

Në një postim në llogarinë e Kryeministrisë së Suedisë në twitter, Kristersson ka shprehur kënaqësinë e tij për takimin me përfaqësuesit e komunitetit.

Ai ka vënë në dukje se këto takime janë mbajtur edhe gjatë mandatit të ish-kryeministrave suedezë dhe tani po zhvillohen edhe nga vetë qeveria e tij, duke shtuar se përfaqësuesit bënë pyetje të rëndësishme, duke përfshirë ngjarjet e fundit.

Në takim i pranishëm ishte edhe ministri i Çështjeve Sociale Jakob Forssmed, si dhe Tahir Akan, kryetar i Federatës Islame Suedeze, Mohamad Temsamani si kryetar i Shoqatave të Bashkuara Islame të Suedisë, Mustafa Setkiq su kryetar i Shoqatës Islame Boshnjake, Haider Ibrahim si kryetar i Bashkësive Islame Shiite në Suedi dhe Salahuddin Barakat si president i Akademisë Islame.

Duke vlerësuar takimin për korrespondentin e Anadolut, Akan tha se takimi u organizua me iniciativën e kryeministrit Kristersson.

Ai tha se në takim u diskutuan sulmet e fundit të urrjejtjes kundër Islamit në Suedi.

“Ne shprehëm shqetësimet e myslimanëve në Suedi. Theksuam se Suedia është një shtet tolerant dhe se imazhi i vendit së fundmi ka filluar të përmbyset në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Akan.

Akan tha se Kristersson, i cili i dëgjoi shpjegimet me seriozitet dhe mbajti shënime, deklaroi se dialogu me komunitetin mysliman në Suedi është i rëndësishëm dhe se do të bëjë çmos për ta përmirësuar atë.

Djegia e Kuranit të Shenjtë në Suedi dhe Danimarkë

Më 21 janar, politikani danezo-suedez i ekstremit të djathtë Rasmus Paludan dogji një kopje të Kuranit jashtë ambasadës turke në Suedi nën mbrojtjen e policisë.

Ndërkaq, të premten e kaluar, më 27 janar, ai dogji Kuranin përpara një xhamie në Danimarkë dhe më vonë edhe para Ambasadës së Türkiyes në Kopenhagë.

Një akt tjetër i tillë u krye edhe nga Edwin Wagensveld, një politikan holandez i ekstremit të djathtë dhe udhëheqës i grupit islamofobik Pegida, duke copëtuar faqet nga një kopje e Kuranit në Hagë më 23 janar.

Në Türkiye dhe shumë vende të tjera janë mbajtur protesta kundër djegies së Kuranit në Suedi, Holandë dhe Danimarkë.

AA