Kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern njoftoi dorëheqjen / Photo: AA

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, njoftoi sot se do të dorëhiqet nga pozita, duke thënë se “nuk ka më energji” pas pesë viteve e gjysmë në pushtet.

Ajo u tha gazetarëve se 7 shkurti do të jetë dita e fundit në detyrë për të, ndërsa dorëheqja vjen vetëm 9 muaj para zgjedhjeve parlamentare.

“Po hyj në vitin e gjashtë si kryeministre dhe në secilin nga këto vite kam dhënë absolutisht gjithçka nga vetja”, tha Ardern.

Ajo paralajmëroi se zgjedhjet e përgjithshme në Zelandën e Re do të mbahen më 14 tetor dhe deri atëherë do të jetë deputete.

Njoftimi i saj është surprizë për vendin 5-milionësh, pasi Ardern kishte shprehur qëllimin që të rikandidohet.

Partia Laburiste në 3 ditët e ardhshme do të votojë për lider të ri partiak, që do të jetë edhe kryeministër i ri.

MIA